Maqedoni
Helmimet nga uji në Gostivar, LSDM: Prokuroria të reagojë menjëherë
07.08.2026 13:34
LSDM ka kërkuar nga prokuroria publike të reagojë menjëherë...

LSDM ka kërkuar nga prokuroria publike të reagojë menjëherë për helmimet nga uji në qytetin e Gostivarit. Mickoski, Klekovski, Toshkovski dhe të gjithë të përfshirët duhet të mbajnë përgjegjësi, theksojnë nga LSDM, sipas të cilës kjo është papërgjegjësi dhe rrezikim i vetëdijshëm i shëndetit të qytetarëve.
“Tër qyteti i Gostivarit u helmua, ndërsa mbi 4.000 qytetarë u përballën me pasoja shëndetësore nga uji i ndotur. Mbi 50 vendbanime në Maqedoni janë prekur nga uji i ndotur. Qytetarët po e paguajnë me shëndetin e tyre këtë çmim. Dhe askush nga pushteti nuk mban përgjegjësi! Si është e mundur kjo? Për katër javë me radhë, Mickoski dhe Klekovski janë tallur me shëndetin e banorëve të Gostivarit. Dhe për katër javë me radhë, qytetarët e Gostivarit nuk kanë pasur qasje në ujë të pastër. Tani duhet pritur deri më 20 gusht për t'u bërë publike rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Gostivar. Deri atëherë, qytetarët janë lënë vetëm, në pasiguri dhe frikë për shëndetin e tyre, me ankthin se mund të shfaqen sëmundje të reja dhe pasoja të reja për shëndetin. Pretendonin se uji ishte “teknikisht në rregull”, dhe këtë vetëm sepse Mickoski tha se ishte në rregull. Jo analizat, por Mickoski”, deklaroi Keti Shterjova nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Filipçe nuk mori masa për ujin e pasigurt
Por VMRO DPMNE, ka kritikuar kryetarin eLSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar se gjatë kohës kur ka qenë ministër i shëndetësisë, nuk janë ndërmarrë masat e duhura për rastet me ujë të pasigurt për pije në disa vendbanime në vend.
Nga partia në pushtet pretendojnë se, sipas dokumenteve nga analizat e kryera që janë prezantuar në opinion, edhe gjatë qeverisjes së LSDM-së janë evidentuar raste të ujit të pasigurt për pije, përfshirë edhe në Gostivar.
“Megjithatë, drejtuesit e LSD-së aso kohe nuk e trajtuan këtë çështje si prioritet. Në vend që të përqendroheshin në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe garantimin e sigurisë së ujit të pijshëm, ata nuk ndërmorën masa të mjaftueshme për zgjidhjen e problemit. Të angazhuar me çështje të tjera politike, ata nuk i njoftuan qytetarët në kohë që të mos e përdornin ujin, nuk morën masa për të zgjidhur problemet dhe nuk kërkuan përgjegjësi për rastet e evidentuara. Asnjë drejtor nuk u shkarkua, as nuk u procedua nga organet kompetente, ndërsa asnjë kryetar komune nuk u thirr të mbante përgjegjësi morale apo penale për rastet e ujit të pasigurt për konsum”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Sipas parties në pushtet në vend të retorikës politike dhe përhapjes së panikut, LSDM dhe Venko Filipçe duhet të shpjegojnë publikisht pse për vite me radhë nuk pati përgjegjësi institucionale për rastet e ujit të pasigurt për konsum dhe cilat masa konkrete ndërmorën për tejkalimin e këtyre problemeve.
GYLTENE SINANI
