Maqedoni
Tragjedi në Tajlandë, nxënësi 14-vjeçarë vret 7 persona dhe veten
07.08.2026 15:10
Shtatë persona, mes tyre nxënës dhe mësues...

Shtatë persona, mes tyre nxënës dhe mësues, humbën jetën në një sulm me armë zjarri në një shkollë pranë Bangkokut. Një nxënës 14-vjeçar i klasës së nëntë hapi zjarr dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Nxënësit u larguan me vrap nga shkolla “Debsirin Nonthaburi”, ndërsa të plagosurit u dërguan në spital me autoambulanca. Në vendngjarje u panë mësues dhe nxënës të tronditur nga ngjarja.
“Kjo është e tmerrshme dhe nuk duhej të ndodhte kurrë. Jam thellësisht i trishtuar që një ngjarje e tillë ndodhi në vendin tonë. Pikërisht për këtë arsye qeveria nuk lejon që njerëzit të posedojnë armë zjarri ose të mbajnë leje për to, për shkak të incidenteve të tilla”, deklaroi kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul.
Sipas policisë, sulmit në shkollë i kishte paraprirë një tjetër ngjarje tragjike. Nxënësi kishte vrarë gjyshin dhe gjyshen e tij në shtëpi, duke përdorur armën e gjyshit, i cili gjithashtu ishte mësues. Hetimi për motivet e sulmit vazhdon.
Dëshmitarët rrëfejnë momentet e tmerrshme të panikut dhe frikës.
“Dëgjova një të shtënë dhe më pas pasuan edhe disa të tjera. U thirra miqtë e mi që të fshiheshin. Fillimisht hapi zjarr në katin e poshtëm të ndërtesës 5, më pas hyri në të duke qëlluar ndaj nxënësve ndërsa ecte. Pastaj u ngjit në ndërtesën tjetër – Ndërtesën 4 – dhe qëlloi në çdo dhomë. Nuk e di pse. Njëri nga miqtë e mi u qëllua. Nuk e njoh sulmuesin, por dukej si një nxënës me nevoja të veçanta”, u shpreh dëshmitari.
Pas të shtënave, personave të prekur do t’u ofrohet mbështetje psikologjike.
“Jemi në koordinim me Departamentin e Psikologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë Publike, i cili po monitoron situatën. Kemi përvojë me situata të tilla dhe së shpejti do ta publikojmë planin e veprimit. Për momentin, prioritet është mbështetja për shkollën, mësuesit dhe nxënësit”, theksoi ministri i arsimit i Tajlandës, Jodchanan Wongsawat.
Ky është një nga sulmet më të rënda me armë zjarri në shkollat e Tajlandës gjatë viteve të fundit. Në shkurt, në një incident të ngjashëm në jug të vendit, një 17-vjeçar hapi zjarr në një shkollë ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
ARMEND MURSELI
