Gjuha shqipe, BDI me akuza për heqjen e shqipes në Tabanoc

07.08.2026 16:23

Rrespektimi i gjuhës shqipe në shënjestër të partive politike...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për heqjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe nga tabela e mirëseardhjes në pikën kufitare të Tabanocit, në terrirtorin e komunës së Kumanovës.
 
Sipas tyre, kjo paraqet shkelje të drejtëpërdrejtë të ligjit dhe detyrimeve kushtetuese për përdorimin e gjuhëve.
 
“Kërkojmë që gjuha shqipe të rikthehet menjëherë në tabelat shtetërore dhe institucionet përgjegjëse të kërkojnë falje publike për këtë shkelje. VLEN mban përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për këtë. Në vend se të ndalë degradimin e gjuhës shqipe, gjen arsyetime të kota dhe me video mashtrime tenton të gënjejë qytetarët. Shqipja është gjuhë zyrtare dhë përdorimi I saj është detyrim ligjor”, thonë nga BDI në një kumtesë për media.
 
VLEN: BDI keqpërdori marrëveshjen e Ohrit
 
Zëvendës drejtori i drejtorisë së Doganave Mustafa Dauti ka publikuar video për rikthimin e tabelës në kater gjuhë, maqedonase, shqipe, angleze dhe frenge. Ndërkaq, VLEN është shprehur se BDI po keqpërdor Marrëveshjen e Ohrit duke pretenduar se e mbron atë.
 
“Kur janë në pushtet, gjithçka u duket tamam. Kur mbeten pa kolltuqe, duhet të ndalet edhe shteti. E pra, ai film nuk kalon më. Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e Ali Ahmetit, pronë e BDI-së apo trashëgimi e karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Ajo është rezultat i sakrificës së një populli të tërë”, janë shprehur nga VLEN.
 
Përplasjet midis pushtetit dhe opozitës kanë vijuar edhe rreth përfaqësimit të drejtë, me akuza të ndërsjella për keqpërdorim të punësimit të shqiptarëve në institucione.
 
MERAL ISMAILI