Avokati i Popullit, gostivarasit të mos paguajnë ujin

07.08.2026 16:23

Qytetarët e Gostivarit të lirohen nga pagesa e faturave të ujit...

Qytetarët e Gostivarit të lirohen nga pagesa e faturave të ujit, nga momenti i paraqitjes së rasteve të para të të prekurve pas përdorimit të ujit të ndotur, deri në sigurimin e plotë të ujit të pijshëm në këtë qytet.
 
Kjo është kërkesa, respektivisht rekomandimi që Zyra e Avokatit të Popullit do t’ia dërgojë Këshillit Komunal të Gostivarit. Sipas avokatit të popullit Faton Selami, kjo kërkesë është e drejtë, pasi qytetarët prej disa javësh nuk kanë pasur ujë të sigurt për pije dhe janë përballur edhe me probleme shëndetësore.
 
“Jemi duke punuar që të dorëzojmë një rekomandim deri te Këshilli Komunal i Gostivarit, që i njëjti ta shqyrtojë mundësinë që qytetarët e Gostivarit dhe të rrethinës, të cilët i shfrytëzojnë shërbimet e NP ‘Komunalec’, të lirohen nga obligimi për pagesën e ujit të pijshëm për periudhën gjatë së cilës uji në Gostivar nuk ka qenë për pije, apo gjatë së cilës ende nuk është për përdorim të plotë”, deklaroi avokati i popullit Faton Selami.
 
Komuna e Gostivarit, do ta shqyrtojmë kërkesën
Kjo kërkesë do t’i dërgohet Këshillit Komunal më së voni deri të hënën, sqaron Selami. Ndërkohë, autoritetet e Komunës së Gostivarit për TVM 2 thonë se janë të gatshme që, sapo ta pranojnë një kërkesë të tillë, ta vendosin në rend dite për shqyrtim në Këshillin Komunal.
 
“Këshilli komunal është zgjedhur nga qytetarët dhe si organ luan rolin e vendimmarrësit për çështje që janë me interes të veçantë për qytetarët. Kështu që edhe kjo çështje është në interes të qytetarëve. Nëse ka një iniciativë të tillë, ajo do të vendoset në rendin e ditës të një mbledhjeje të ardhshme të Këshillit komunal dhe do të prononcohen të gjithë këshilltarët. Besoj se ata do të vendosin edhe për këtë iniciativë që ju sapo e përmendët”, theksoi koordinatori i shtabit lokal të krizës në Gostivar, Zudi Xhelili.
 
Ndërkohë, Zyra e Avokatit të Popullit që nga fillimi i problemit me ujin e pijshëm në Gostivar po e ndjek këtë çështje, me qëllim të konstatohet se si është cenuar e drejta e qytetarëve për ujë të sigurt dhe të pijshëm.
 
Pas hapjes së lëndës së veçantë me iniciativë vetanake, nga institucionet përkatëse tashmë janë marrë përgjigjet e para, por për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe hetimeve të filluara, detaje më të hollësishme nuk bëhen të ditura. Për këtë rast janë kërkuar informacione nga Instituti i Shëndetit Publik, Komuna e Gostivarit, NP “Komunalec” dhe Qendra e Shëndetit Publik.
 
“Jemi në fazën kur mbledhim të dhëna nga institucionet dhe përgjigjet e tyre i shqyrtojmë me kujdes. Me qëllim që të kemi një pasqyrë gjithëpërfshirëse, iu drejtuam edhe institucioneve të tjera për informacione plotësuese, në mënyrë që të kuptojmë se si kanë vepruar dhe çfarë kanë ndërmarrë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore. Dua ta përmend se NP “Komunalec” ende nuk na ka dërguar përgjigje lidhur me kërkesën tonë. Në këto momente presim përgjigjen e tyre”, u shpreh avokati i popullit Faton Selami.
 
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që furnizonte drejtpërdrejt rrjetin e ujësjellësit me ujëra të ndotura.
 
Nga ndotja e ujit u prekën mbi 4 mijë qytetarë të Gostivarit. Ndërkohë, nga shtatori, Avokati i Popullit do t’u dërgojë shkresa të veçanta përfaqësuesve të disa komunave, për të kërkuar informacione se si dhe në çfarë forme sigurohen dhe mirëmbahen burimet e ujit në komunat e tyre.
 
REXHEP QAMILI