Beograd, Zelenski u prit nga homologu serb, Vuçiç
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Beograd...

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Beograd, në vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, ku u takua me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Rruga evropiane e të dy vendeve, promovimi i bashkëpunimit ekonomik dhe çështjet e sigurisë ishin në fokus të bisedimeve.
Gjatë takimit poashtu është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi në fushën e sigurisë ushqimore.
“Duhet të punojmë shumë për të arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë. Negociatat po përparojnë dhe kjo është pozitive. Do të ishte mirë të përgatitej gjithçka deri në fund të këtij viti. Falënderoj Serbinë për paketën e re të ndihmës humanitare të shpallur, veçanërisht në fushat e shëndetësisë dhe energjisë”. – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Vuçiç ishte skeptik në lidhje me mundësinë e anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Zelensky njoftoi përparim në negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë.
Presidenti serb përsëriti se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe se është mirënjohës që një mbështetje e tillë është e ndërsjellë.
Sipas tij, Beogradi dhe Kievi mbështesin gjithashtu njëri-tjetrin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Mbështes integritetin territorial të Ukrainës dhe jamë mirënjohës që një mbështetje e tillë është e ndërsjellë. Beogradi dhe Kievi mbështesin gjithashtu njëri-tjetrin në rrugën drejt Bashkimit Evropian, dhe se të dyja vendet duan të forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Si veteran politik, në këtë pikë nuk shoh ndonjë mundësi, veçanërisht për Serbinë, që të bëhet anëtare e BE-së së shpejti, për arsye të shumta politike. Ata gjithmonë do të gjejnë dikë. Për ne, ata do të gjejnë disa kroatë, bullgarë, holandezë. Për ukrainasit, ata do të gjejnë disa të tjerë” – u shpreh Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç tha se tregtia midis Serbisë dhe Ukrainës arriti në rreth 450 milionë dollarë vitin e kaluar, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti arriti në rreth 321 milionë dollarë.
Zelenski njëherit deklaroi se Ukraina vijon të përballet me një situatë të vështirë të sigurisë, duke theksuar se vendi edhe gjatë natës është përballur me sulme me raketa balistike dhe dronë.
Autoritetet ushtarake kanë njoftuar se nga bombardimet e reja ruse në Kiev dhe rrethinë janë vranë të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë, dhe janë plagosën shtatë të tjerë.
Ndërkohë Ushtria ukrainase ka goditur gjatë natës dy rafineri nafte në territorin rus, Ilsky dhe Syzran, duke shkaktuar zjarre në të dyja objektet.
Lajmi është bërë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet janë kryer gjatë natës dhe kanë prekur dy objekte të rëndësishme të industrisë ruse të naftës. (Fitim Kryeziu, TVM2)
