Hetimet ndaj Grubit, VLEN: A po e blen Grubi lirinë me sekretet e BDI-së?
Më 22 gusht skadon afati ligjor...

Më 22 gusht skadon afati ligjor për hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Nëse deri atëherë nuk ka aktakuzë, kjo do të nënkuptojë edhe heqjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj tij.
Për këtë çështje ka reaguar partia VLEN, e cila ka pyetur nëse Prokuroria po e zvarrit hetimin dhe nëse Grubi, përmes sekreteve të BDI-së, po e “blen” lirinë e tij.
“Mos vallë Artan Grubi e ka hapur gojën, ka kënduar si bilbil dhe për këtë arsye po zvarritet e gjithë çështja? Ndërkohë, pluhur ka zënë edhe dosja për të cilën Grubi përfundoi në listën e zezë amerikane dhe opinioni me të drejtë pyet se ku ka mbërritur kjo çështje. Partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e futi Grubin në listën e zezë për korrupsion të nivelit të lartë. Ai dhe gjykatësi Enver Bexheti pranuan ryshfet për ta liruar nga burgu Sasho Mijallkovin” - thuhet në komunikaten e lëshuar të VLEN-it.
VLEN-i kërkon nga Prokuroria që të ndalojë së “luajturi kukafshehti me drejtësinë” dhe publikisht të sqarojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë ngecur procedurat dhe nëse në përgjithësi ka ndërmarrë ndonjë veprim pas gjetjeve të autoriteteve amerikane.
BDI: VLEN po i bën presion drejtësisë
Nga BDI reagimin e VLEN e shohin si presion skandaloz dhe të pa papranueshëm ndaj drejtësisë.
“Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë VLEN dhe apostrofimi i tyre ndaj prokurorisë. Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa Vlen këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht. Raporti i Bashkimin Europian alarmon si asnjëherë më parë për ndërhyrje politike në sundimin e ligjit. Prokuroria dhe Gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve, e as Maqedonisë së Veriut. Këtë shqetësim BDI ia ka paraqitur miqve ndërkombëtar, përfshirë dhe komunikatën e sotme të VLEN. BDI bën thirrje për drejtësi europiane, joselektive.”, - thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie Prokurorët bartin përgjegjësi dhe duhet të vendosin në bazë të ligjit, provave, ekspertizave, e jo në bazë të urdhëresave dhe dëshirave partiake.
Sipas BDI-së, VLEN duhet të nisë denoncimet nga rradhët e veta, si për shembull Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu për mbi 250 milion euro dëm me ndërtimet pa leje, Burim Latifi mbi 19 milion euro dëm buxhetit, Nedim Rama dhe keqbërësit e tjerë nga rradhët e tyre.
Afati gjashtëmujor, që është edhe periudha e fundit e hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit të BDI-së, Artan Grubi, skadon më 22 gusht. Nëse deri atëherë prokurori nuk ngre aktakuzë, Grubi do të lirohet edhe nga masa e arrestit shtëpiak. Kjo do të thotë se prokurorit të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup i kanë mbetur ligjërisht edhe më pak se 12 ditë për ta përfunduar hetimin.
Pas 14 muajsh në arrati, Grubi u dorëzua në pikën kufitare Bllacë dhe, pas ndërmarrjes së disa veprimeve të tjera, ndaj tij u caktua masa e arrestit shtëpiak.
Në rast se procedura hetimore nuk përfundon brenda afatit dhe nuk ngrihet aktakuzë, Gjykata Themelore Penale në Shkup, me detyrë zyrtare, duhet të caktojë një masë tjetër për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, e cila në këtë rast mund të jetë edhe marrja e dokumentit të udhëtimit. (Rexhep Qamili, TVM2)
