Shqipëri, për disa orë Kruja ishte e rrethuar nga zjarri
Një zjarr masiv përfshiu territorin malor të Krujës në Shqipëri...

Një zjarr masiv përfshiu territorin malor të Krujës në Shqipëri, duke u afruar edhe pranë zonave të banuara dhe bizneseve. Zjarri u afrua edhe rreth 50 metra pranë godinës së spitalit të Krujës, duke detyruar evakuimin e pacientëve drejt Tiranës. Ekipet e emergjencës u angazhonin në një operacion të gjerë për shuarjen e zjarrit si nga toka ashtu edhe nga ajri.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për evakuim të menjëhershëm teksa vijonte beteja me flakët.
“Kemi bërë thirrje vazhdimisht për të bashkëpunuar me policinë e shtetit për tu evakuuar nga shtëpitë të cilat janë pranë vatrave të zjarrit këtu në malin e Krujës.” – tha Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Besfort Lamallari.
“Kemi ndërmarrë çdo masë që të parandalojmë sa më shumë përhapjen e flakëve të zjarrit por jeta e çdo qytetari është prioritet, lutem dëgjoni thirrjet e forcave të armatosura dhe policisë së shtetit për evakuimin nga banesat, ndërkohë që ne jemi këtu duke luftuar këtë zjarr masiv që është përhapur në malin e Krujës.” – u shpreh Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, së bashku me 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri. Në operacion u përdorën 21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, droni “Bayraktar TB2” dhe dy dronë me kamera termike të AKMC-së.
Zjarri shkaktoi dëme të konsiderueshme, ndërsa dëmtimi i një linje të tensionit të lartë la pa energji elektrike banorët e Lagjes 2 të Krujës.
Pas një nate të gjatë përballjeje me flakët, situata në qytet është qetësuar, pasi zjarri është vënë nën kontroll në zonat pranë shtëpive.
Nga zjarri nuk raportohet për humbje jete dhe asnjë banesë nuk rezulton e djegur.
Për zjarrin në Krujë është arrestuar Qemal Berhami, i cili sipas policisë, kishte ndezur barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik një pjesë të Krujës.
Njoftohet edhe për vatra tjera zjarri në Shqipëri, përfshi dy vatra zjarri aktive në Mallakastër, si dhe në zonën mes fshatrave Drenije të bashkisë Patos dhe Vlosht të bashkisë së Roskovecit. (Naim Sinani, TVM2)
