Maqedoni
Rezultatet e nxënësve të klasave të nënta, afati për ankesat zgjat tre ditë
16.06.2015 15:45
Dje u shpallën rezultatet nga sesioni i qershorit të kontrollit ekstern të njohurive të arritura të nxënësve të klasave të nënta...
Meqenëse testimi ekstern ishte i shoqëruar me një numër të madh të gabimeve përmbajtësore dhe teknike, nxënësit mund të dorëzojnë ankesë deri tek shkollat të cilat kanë për obligim që këto ankesa t’i dorëzojnë deri tek Qendra Shtetërore e Provimeve.
Afati për dorëzimin e ankesave zgjat tre ditë.
“Gjithsej në shkollën tonë ka 15 nota të dobëta të klasave të nënta, për shkak se rezultatet e klasave tjera ende nuk kanë dalë. Për ankesa kemi afat deri më datën 18, ne do të presim nëse ka ndonjë ankesë prej prindërve, t’i shohim ankesat dhe çka do të ndërmarrim”- deklaroi drejtori i Sh. F. “Adem Jashari”, Halil Palloshi.
Sipas Palloshit, ka pasur gabime të shumta në testimin ekstern. Ai inkurajon nxënësit që të paraqesin këto gabime, sepse vitin e kaluar ankesat e nxënësve janë marrë parasysh.
“Ka pasur pyetje me gabime dhe çdo ditë janë lëshuar ankesat për çdo test, lëndë dhe klasë. Edhe vitin e kaluar kemi bërë ankesa për bllokim të tastaturave, ankesat janë marrë parasysh dhe iu është dhënë mundësi nxënësve të hynë në afatin tjetër”- tha drejtori i Sh. F. “Adem Jashari”, Halil Palloshi.
Rezultatet për nxënësit e klasave të nënta u shpallën të parat, pasi ata do të duhet të regjistrohen në shkolla të mesme.
Rezultatet për nxënësit tjerë do të shpallen në fund të muajit qershor.
FLUTURA LATIFI
