Deklarata e Zelenskit në Beograd, reagime të shumta në Shqipëri dhe Kosovë

09.08.2026 15:23

Deklarata e presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski...

Deklarata e presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski, në Beograd se vendi i tij nuk e njeh pavarsinë e Kosovës, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri. Nga minsitria e jashtme e Shipërisë kanë theksuar se çështja e Kosovës nuk mund të vendoset në të njëjtin ekuacion me situatën në Ukrainë, duke shtuar se pavarësia e Kosovës ka bazë të veçantë historike, politike dhe juridike.

“Ashtu siç Shqipëria qëndron, dhe do të vazhdojë të qëndrojë, fort me sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe të ardhmen europiane të Ukrainës, ne qëndrojmë njësoj të vendosur për sovranitetin, pavarësinë dhe vendin e duhur të Kosovës në familjen euroatlantike. Nuk duhet të ketë keqkuptim për këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr një paralele ose për të vendosur një ekuacion mes Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Ndërkohë është hequr flamuri gjigant i Ukrainës që ishte i vendosur në qendër të Prishtinës. Heqja e tij është publikuar në rrjetet sociale nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjjet gjithmonë njëjtë. Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Që nga fillimi i luftës me Rusinë në vitin 2022 Kosova ka qëndruar vazhdimisht në anën e Ukrainës, duke strehuar refugjatë dhe gazetarë ukrainas, si dhe i vendosi sanksione Rusisë, gjë që nuk e ka bërë Serbia, ku Zelenski qëndroi të shtunën për vizitë dhe u shpreh në linjë të njejtë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq sa i përket Republikës Kosovës. (Naim Sinani, TVM2)