Komuna e Gostivarit, gjendja me ujin drejtë përmirësimit

09.08.2026 15:33

Edhe një fundjavë u kaloi gostivarasve pa ujë të sigurt...

Edhe një fundjavë u kaloi gostivarasve pa ujë të sigurt dhe të pastër për pije. Ky qytet, për më shumë se katër javë, po përballet me mungesën e ujit të pastër, ndërsa funksionimi i rregullt i qytetarëve është vështirësuar.

Nga Komuna e Gostivarit për TVM2, thonë se gjendja është duke shkuar drejt normalizimit. Koordinatori i Shtabit Lokal të Krizës në Gostivar, Zudi Xhelili, për TVM2 tha se gjendja me ujin po përmirësohet.

Në bazë të analizave të fundit, vërehet edhe rënie e nivelit të klorit në ujë, me ç’rast rriten pritshmëritë e autoriteteve komunale se nga java e ardhshme do të lëshohet edhe uji për konsum.

“Sa i përket cilësisë së ujit, sipas analizave të fundit të marra, gjendja është duke u përmirësuar. Rezultatet tregojnë përmirësim të parametrave, ndërsa veçanërisht është ulur sasia e klorit në ujë. Sa i përket klorinimit, procesi vazhdon, por sasia e klorit është zvogëluar në përputhje me rezultatet e matjeve të fundit”, - thuhet në njoftimin e autoriteteve të Komunës së Gostivarit.

Njëheritë në koordinim me autoritetet komunale dhe me ndihmën e kompanive private vijon edhe shpërndarja e ujit të ambalazhuar dhe të pijshëm në pikat e deritanishme, si dhe e ujit për përdorim teknik përmes cisternave.

LSDM, duhet të ketë përgjegjësi për Gostivarin

Për gjendjen me ujin e pijshëm përsëri kanë reaguar socialmokratët. LSDM u kërkon përgjegjësi përfaqësuesëve të institucioneve për helmimin e qytetarëve të Gostivarit.       

“Nëse uji ishte plot me baktere, siç pretendohej, si mund të deklarohej se ishte i rregullt dhe mund të përdorej si ujë për përdorim ‘teknik’? Asnjëherë nuk u publikua analiza apo raporti për ujin dhe nuk dihet se kush e lejoi dhe dha miratimin. Vetëm sepse ‘eksperti’ që e njoftoi këtë, ishte Mickoski. Nuk ka skandal më të madh, e as papërgjegjshmëri më të madhe, sesa një lojë e tillë me jetën e qytetarëve. Kjo është katastrofë shëndetësore, kaos total dhe shpërbërje e institucioneve. Dhe duhet të ketë përgjegjësi! Mjaft më heshti Prokuroria Publike. Saveski duhet të reagojë menjëherë!” – tha Keti Shterjova nga LSDM.
Për këto akuza partia në pushtet VMRO-DPMNE-ja, kanë theksuar se problemi me ujin e pijshëm në Gostivar nuk është i tanishëm, por daton që nga koha e qeverisjes së LSDM-së, por për dallim nga qeverisja e tyre, kjo përbërje qeveritare nuk e ka fshehur problemin dhe ka punuar për ta zgjidhur problemin e kahëmotshëm të qytetarëve të Gostivarit. 

Ndryshe më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që furnizonte drejtpërdrejt rrjetin e ujësjellësit me ujëra të ndotura.

Nga ndotja e ujit u prekën mbi 4 mijë qytetarë të Gostivarit.

PTHP vazhdonë hetimet për këtë çështje, ndërsa Zyra e Avokatit të Popullit thonë se me vëmendje po e ndjekin çështjen me ujin në Gostivar, me qëllim të konstatohet se si është cenuar e drejta e qytetarëve për ujë të sigurt dhe të pijshëm. (Rexhep Qamili, TVM2)