Kumanovë, uji nga rrjeti publik i pijshëm
Sikurse në disa qytete të vendit edhe në Kumanovë...

Sikurse në disa qytete të vendit edhe në Kumanovë janë kryer analiza të ujit për pije nga rrjeti publik. Nga këto analiza është konstatuar se uji i pijshëm nga rrjeti publik i furnizimit në Kumanovë është i sigurt për konsum.
Analizat e rregullta laboratorike janë kryer nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë.
Siç njohtojnë nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, monitorimi i cilësisë së ujit kryhet në mënyrë të vazhdueshme në bazë të një marrëveshjeje me Ndërmarrjen Publike "Ujësjellësi" – Kumanovë, ku mostrat merren çdo javë – çdo të hënë – në përputhje me një grafik të përcaktuar paraprakisht.
Gjatë gjithë vitit analizohen gjithësej 130 mostra nga vendndodhje të ndryshme nëpër qytet, duke ofruar një pasqyrë të plotë të cilësisë së ujit që përdorin qytetarët. Rezultatet e analizave laboratorike të kryera deri më tani tregojnë se të gjitha mostrat e testuara i plotësojnë kërkesat e përcaktuara dhe janë në përputhje me standardet ligjore dhe ato sanitare-higjienike për cilësinë e ujit të pijshëm", - njoftojnë nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë.
Si pjesë e procesit të monitorimit, kontrollohet rregullisht niveli i klorit të mbetur një nga treguesit më të rëndësishëm të sigurisë së ujit.
“Ndër mostrat e analizuara deri më tani, vlerat më të ulëta të matura të klorit të mbetur ishin 0,3 mg/L (milligram për litër), 0,44 mg/L dhe 0,47 mg/L; sipas Qendrës për Shëndet Publik, këto shifra tregojnë një nivel të vazhdueshëm dhe adekuat të dezinfektimit", - theksojnë nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë.
Bazuar në rezultatet e marra, Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë konkludon se uji nga sistemi publik i furnizimit i plotëson vazhdimisht të gjitha kërkesat për siguri shëndetësore dhe mbetet i sigurt për përdorim të përditshëm.
Ndryshe qytetarët e Kumanovës furnizohen me ujë të cilësisë së lartë të akumuluar në dy liqenet akumuluese të Likovës dhe Gllazhnjës. (Fatlum Aqifi, TVM2)
