Moti, Evropa përballet me temperatura rekorde

09.08.2026 18:10

Europa është përfshirë nga një valë e temperaturave të larta..

Europa është përfshirë nga një valë e temperaturave të larta dhe rekorde, ndërsa sistemet e energjisë dhe transportit në të gjithë kontinentin përballen me ndërprerje. Temperaturat në Sllovaki arritën 42.2 gradë Celsius.

I vetmi termocentral bërthamor i vendit po funksionon me 80 përqind të kapacitetit të tij, ndërsa nivelet e ujit në Danub, lumin e dytë më të gjatë të Evropës, bien në nivele rekord.

Hungaria gjithashtu regjistroi një rekord të ri të temperaturës gjatë natës në kryeqytetin e saj, Budapest, duke nënvizuar vazhdimësinë e nxehtësisë ekstreme.

Me temperatura të larta dhe zjarre të shumta po përballet edhe Greqia fqinje, ku janë djegur qindra hekatarë pyje.

Austria është pothuajse në të njëjtën situatë, Institucionet austriake raportuan se temperaturat arritën një nivel rekord prej 41.2°C. 

Në Itali, autoritetet i vendosën të 27 qytetet kryesore të vendit në alarmin më të lartë për nxehtësi të enjten për herë të parë këtë vit. Autoritetet lëshuan paralajmërime për të shmangur rrezet e diellit direkte midis orës 11:00 dhe 18:00. 

Ndërkohë, një thatësirë që po përkeqësohet në Gjermani ka detyruar disa kompani të transportojnë mallra me rrugë tokësore në vend të anijeve. Parashikimet flasin se Mbretëria e Bashkuar pritet të përjetojë një tjetër periudhë e motit të ngrohtë javën e ardhshme, me temperatura që pritet të rriten deri në 36°C në pjesë të Anglisë juglindore. Më shumë se gjysma e Anglisë dhe e gjithë Uellsi është në thatësirë.

Agjencia e Mjedisit tha se vendi ka regjistruar shtatë javë radhazi me më pak se 10 milimetra reshje shiu, duke ngritur shqetësime se më shumë zona mund të hyjnë në thatësirë në ditët në vijim.

Shkencëtarët paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme e verës mund të bëhet gjithnjë e më normale në Evropë, ndërsa klima globale ngrohet. Kontinenti po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër në botë dhe me dyfishin e shpejtësisë së mesatares globale. (Fitim Kryeziu, TVM2)