Maqedoni

Ohër, flamuri me 12 rreze në vend të 8, LSDM me akuza për skandal në spektakël

10.08.2026 13:54

Flamuri shtetëror me 12 rreze, në vend të tetë...

Flamuri shtetëror me 12 rreze, në vend të tetë, u shfaq mbrëmë gjatë spektaklit muzikor në Ohër, të organizuar në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.Pamjet kanë nxitur reagime në LSDM, nga ku kritikojnë Qeverinë për atë që e cilësojnë si gabim me flamurin shtetëror dhe kërkojnë përgjegjësi për lëshimin.
 
“Turp. Ata nuk e ndryshuan emrin e shtetit, por ia dolën ta ndryshojnë flamurin. Për Mickoskin dhe VMRO-në, flamuri është një instalacion artistik. Version i ri me 12 rreze. Tani le të dalin dhe të shpjegojnë se cila kompani e bëri flamurin, sa para publike u shpenzuan dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë poshtërim të simbolit shtetëror?”, thonë nga LSDM.
 
VMRO: Ishte vetëm instalacion artistik
 
Akuzave të LSDM-së u është kundërpërgjigjur VMRO-DPMNE. Nga kjo parti thonë se nuk bëhej fjalë për flamur shtetëror, por për një instalacion artistik në formën e diellit me më shumë rreze, i cili, sipas tyre, shkrihet me flamurin me tetë rreze.
 
“Aktiviteti u mirëprit nga të gjithë qytetarët dhe e bashkoi vendin; vetëm Filipçe dhe disa njerëz përreth tij po përpiqen ta njollosin këtë projekt. Ata janë brejtës politikë, të cilët nuk duan që Maqedonia të ecë përpara. Do të na duhen vite e vite për të riparuar dëmin që ju, llumi i shoqërisë, ia keni shkaktuar Maqedonisë prej dekadash”, thonë nga VMRO-DPMNE.
 
ASH: Të tërhiqet klipi, mungon gjuha shqipe
 
Ndërkohë, reagim ka edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti shprehin shqetësim se në klipin e publikuar shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar, ndërsa gjuha shqipe mungon plotësisht.
 
ASH kërkon nga Qeveria të tërheqë klipin dhe të publikojë material të ri, në të cilin, sipas tyre, duhet të respektohet gjuha shqipe dhe të pasqyrohet kontributi i shqiptarëve në historinë, ndërtimin dhe të tashmen e shtetit.
 
“Është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi një narrativë njëetnike, duke krijuar përshtypjen sikur ky shtet i përket vetëm një komuniteti. Shqiptarët kanë qenë pjesë e pandashme e proceseve më të rëndësishme politike dhe shoqërore të vendit, nga periudha e pavarësimit, ndërtimi i institucioneve demokratike, integrimi në NATO dhe rruga drejt BE-së”, thuhet në reagimin e ASH-së.
 
Spektakli “Shkëlqeu fuqishëm dita” u mbajt në stadiumin e Ohrit. Qyteti ishte stacioni i parë i turneut, i cili pritet të përfshijë 11 qytete të vendit. Turneu do të përmbyllet më 4 shtator në Shkup.
 
MERAL ISMAILI