Maqedoni

Gjendja me zjarret, QMK: Tre zjarre aktive, intervenohet për shuarjen

10.08.2026 14:12

Është lokalizuar zjarri që shpërtheu të shtunën në deponinë...

Është lokalizuar zjarri që shpërtheu të shtunën në deponinë e qytetit në Kriva Pallankë. Autoritetet lokale dhe njësia territoriale e zjarrfikësve në Kriva Pallankë bëjnë të ditur se pas rreth 30 orësh intervenim, i cili zgjati deri në orët e vona të ditës së djeshme zjarri është lokalizuar dhe vënë nën kontroll.
 
Ndërkohë nga Qendra për Menaxhim me Kriza informojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 26 zjarre në territorin e vendit.
 
Prej tyre 25 janë shuar tërësisht, ndërsa zjarri në afërsi të deponisë në Kriva Pallankë është vënë nën kontroll. Por kjo situatë zgjati për pak kohë. Herët në mëngjes janë regjistruar edhe shtatë zjarre të reja, prej të cilave katër u shuan tërësisht, ndërsa tre vazhdojnë të jenë aktive dhe për shuarjen e tyre po intervenohet.
 
Për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarreve si pasojë e temperaturave të larta, autoritetet qëndrojnë në gatishmëri. Rrezik i lartë për përhapjen e zjarreve ende ekziston në pjesët lindore, qendrore dhe jugore të vendit.
 
“Gjatë ditës së sotme gjendja me zjarre paraqitet stabile në RMV. Momentalisht kemi vetëm 3 zjarre aktive edhe atë në komunën e Shtipit, Makedonksi Brod dhe në komunën e Negotinës. Prej orës 7 të mëngjesit kanë qenë 7 zjarre aktive, katër janë shuar, ndërsa vetëm 3 janë aktive dhe presim gjatë ditës së sotme edhe ato të shuhen tërësishtë. Kurse nën kontroll është zjarri në Kriva Pallankë”, deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
 
Autoritetet njëherit u bëjnë apel qytetarëve që gjatë kësaj periudhe të verës të kenë kujdes të veçantë dhe të sillen me përgjegjësi, veçanërisht gjatë qëndrimit dhe lëvizjes në natyrë, pasi që çdo pakujdesi mund të shkaktojë zjarr, i cili në këto kushte atmosferike mund të përhapet shumë shpejt dhe të përfshijë sipërfaqe të mëdha.
 
Për këtë arsye qytetarët që vërejnë zjarr u bëhet thirrje që menjëherë ta denoncojnë atë.Deri në këto momente ende nuk ka të dhëna të plota se sa hektarë sipërfaqe tokë janë përfshirë nga zjarret gjatë këtij viti dhe sa janë dëmet materiale të shkaktuara.
 
Autoritetet thonë se këto të dhëna do të mund të përllogariten pas përfundimit të sezonit të verës dhe stabilizimit të plotë të situatës me zjarret në vend, gjatë vjeshtës. Në ndërkohë sipas të dhënave, njësia territoriale e zjarrfikësve këtë vit ka realizuar 750 intervenime në terren.
 
REXHEP QAMILI