Botë
Trump rrit presionin ndaj Iranit, ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur
10.08.2026 15:06
Presidenti amerikan Donald Trump e minimizon rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit...

Presidenti amerikan Donald Trump e minimizon rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, pasi Teherani po e zvarrit marrëveshjen me Omanin, duke vendosur kushte të reja. Në vend të një ofensive të re ushtarake, Trump paralajmëron presion më të madh ekonomik ndaj Iranit, i cili po përballet me inflacion të lartë dhe krizë të rëndë ekonomike.
“Thjesht po e shohim Iranin me inflacionin e tij të jashtëzakonshëm dhe faktin se nuk kanë para. Do të rregullohet, gjithmonë rregullohet. Është si një lojë shahu“, deklaroi Trump për „Axios“.
Ndryshimi i qasjes së Uashingtonit vjen pasi Pentagoni ka kërkuar rritjen e prodhimit të municioneve, për shkak të pakësimit të rezervave. Derisa Trump po rrit presionin ekonomik, Irani e kushtëzon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit me heqjen e bllokadës detare amerikane.
Ndërkohë, ndryshimi i papritur i kreut të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare në Teheran ka nxitur spekulime për përçarje brenda udhëheqjes iraniane lidhur me negociatat e mundshme me SHBA-në.
“Rihapja e Ngushticës së Hormuzit varet nga heqja e bllokadës detare nga ana e Shteteve të Bashkuara. Negociatat me Omanin po zhvillohen pa probleme dhe në mënyrë konstruktive. Në këtë fazë nuk janë diskutuar asnjë tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticë, por tarifat, natyrisht, do të zbatohen kur të sigurohen shërbimet detare”, u shpreh zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei.
Derisa tensionet në rajon vazhdojnë, Baghaei paralajmëroi vendet e rajonit që të mos lejojnë përdorimin e territorit të tyre për sulme amerikane ndaj Iranit. Izraeli deklaroi se nuk do të lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore dhe se nuk do ta pranojë marrëveshjen për Gazën pa çarmatimin e Hamasit.
Ndërkohë, Izraeli përsëri sulmoi Libanin, pavarësisht armëpushimit. Huthitë morën përgjegjësinë për sulme të reja ndaj forcave saudite dhe objektivave në Jemen, edhe pse Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar një marrëveshje për mbrojtje të përbashkët.
ARMEND MURSELI
