Studentët ripërsërisin kërkesën, provimet profesionale edhe në shqip!
Provimet profesionale të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe...

Provimet profesionale të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe. Kjo është kërkesa që studentët shqiptarë vazhdojnë t’ia adresojnë Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa tashmë presin një zgjidhje konkrete.
Kuvendi Studentor i Universitetit “Nënë Tereza”, e ka përsëritur kërkesën e studentëve të UEJL-së, duke kërkuar që përdorimi i gjuhës shqipe të mundësohet jo vetëm në provimin e jurisprudencës, por edhe në provimet e tjera profesionale.
“Sot, si Kuvend Studentor, dorëzuam kërkesësn e rradhës drejtuar Ministrit të Drejtësisë, me qëllim që studentëve shqipëtar t’u mundësohet dhënja e provimeve profesionale në gjuhën shqipe. Ne kërkojmë që të respektohen dhe zbatohen të drejtat tona të garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në kërkesën e studentëve.
Çështja e jurisprudencës në shqip është diskutuar prej muajsh. Fillimisht Ministria e Drejtësisë, e drejtuar atëherë nga Igor Fillkov e kishte refuzuar kërkesën me arsyetimin se për ushtrimin e profesioneve juridike është e nevojshme edhe njohja aktive e gjuhës maqedonase.
Më pas, me ardhjen e Jeton Shasivarit në krye të Ministrisë u hap rruga për një zgjidhje ligjore. Shasivari, kishte prezantuar një model ku pjesa teorike e jurisprudencës do të zhvillohej në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht. Por zgjidhja ende nuk është konkretizuar.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se çështja e provimeve profesionale në gjuhën shqipe është ndër prioritetet që po trajtohen dhe se pas pushimeve verore, gjatë shtatorit, pritet të bëhen të ditura më shumë detaje.
Mbetet për tu parë nëse zgjidhja që pritet në shtator do të kufizohet vetëm te jurisprudenca apo do të përfshijë edhe provimet e tjera profesionale, siç kërkojnë studentët. (Sanije Duraku, TVM2)
