Turizmi tranzit, mijëra turistë kalojnë nëpër vend
Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikën kufitare Tabanoc...

Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në pikën kufitare Tabanoc, në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Fluks i shtuar regjistrohet si në hyrje, ashtu edhe në dalje nga vendi, ndërsa Korridori 10 mbetet një nga akset më të ngarkuara gjatë sezonit veror.
Një pjesë e udhëtarëve janë mërgimtarë që kthehen për pushime në vendlindje, të tjerë kanë zgjedhur Ohrin si destinacion, ndërsa një numër i madh turistësh të huaj e përdorin Maqedoninë e Veriut vetëm si rrugë tranziti drejt bregdetit grek.
Megjithatë, për shumë prej tyre, kalimi nëpër vend përfundon vetëm me një ndalesë të shkurtër për karburant.
Përgjatë aksit nga kufiri me Serbinë drejt Kumanovës, hapësirat ku udhëtarët mund të pushojnë, freskohen, ushqehen apo të bëjnë blerje janë ende të kufizuara.
"Vijmë nga Gjermania. Po presim rreth 15 minuta për të kaluar kufirin, që është shumë mirë. Po udhëtojmë për në Greqi."
"Vijmë nga Gjermania, po presim rreth 5 minuta. Po udhëtojmë për në Greqi."
"Po shkojmë në Greqi për pushime. Shpresoj se do ta kalojmë shpejt kufirin. Nuk ka rrëmujë."
"Nuk kemi ndaluar deri tani. Do të ndalojmë diku në Maqedoni, zakonisht hyjmë në ndonjë qytet."
"10 minuta po presim dhe kjo është shkëlqyeshëm. Do të flemë në Mrzencl."
"Kemi 5 minuta që po presim deri tani, që është mirë. Udhëtojmë për në Greqi, do të kalojmë natën në Mrzencl e pastaj vazhdojmë më tej." – thanë disa nga turistët e intervistuar në vendin tonë.
Pikërisht ky fluks i madh udhëtarësh shihet edhe si mundësi për zhvillimin e turizmit tranzit. Qëllimi është që ata që vetëm kalojnë nëpër vend, të ndalen për disa minuta më shumë dhe një pjesë të shpenzimeve të tyre ta lënë në ekonominë vendase.
Në hyrje të Kumanovës është paralajmëruar ndërtimi i një qendre të re nga një rrjet i njohur tregtar gjerman. Hapësira pritet të ofrojë mundësi për pushim dhe blerje dhe të shërbejë si një pikë e rëndësishme për udhëtarët që lëvizin përgjatë Korridorit 10.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, përmes Tabanocit kanë hyrë në vend mbi 10 mijë shtetas vendorë.
Gjatë fundjavës, në këtë pikë kufitare janë regjistruar edhe mbi 43 mijë shtetas të huaj.
Nga MPB-ja thonë se gjatë sezonit veror janë angazhuar të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për të siguruar qarkullim sa më të shpejtë në kufi.
Rreshta të gjatë automjetesh janë krijuar në pikën kufitare Tabanoc, në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Fluks i dendur regjistrohet si në hyrje ashtu edhe në dalje nga vendi.
Një pjesë e mërgimtarëve po kthehen për pushime në atdhe, të tjerë udhëtojnë drejt Ohrit, ndërsa një pjesë e madhe tranzitojnë drejt bregdetit grek.
Pavarësisht temperaturave të larta, udhëtarët tregojnë durim, pasi pritjet për procedurat e nevojshme ligjore zgjasin nga 5 deri në 10 minuta. Por sfidë e vërtetë mbetet udhëtimi përgjatë Korridorit 10.
Nga kontrolli i realizuar në aksin nga kufiri drejt Kumanovës, vërehet se mungojnë hapësirat adekuate ku pushuesit mund të freskohen apo të bëjnë blerje pa humbur kohë, me përjashtim të pikave të karburantit.
Për të lehtësuar këtë situatë, është paralajmëruar ndërtimi i një qendre të re nga një rrjet i njohur tregtar gjerman në hyrje të Kumanovës. Kjo hapësirë pritet të shërbejë në të ardhmen si një pikë kyçe pushimi dhe blerjesh për të gjithë ata që tranzitojnë nëpër këtë korridor.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme, brenda 24 orëve të fundit në këtë pikë kufitare kanë hyrë mbi 10 mijë shtetas vendorë, ndërsa gjatë fundjavës janë regjistruar mbi 43 mijë të huaj.
Nga MPB konfirmojnë se janë angazhuar të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për të garantuar një rrjedhë sa më të shpejtë të automjeteve gjatë sezonit veror. (Abibe Qaili, TVM2)
