13 viktima nga sulmi me dronë, përshkallëzohen sulmet ajrore, Rusi-Ukrainë

10.08.2026 18:49

Një sulm me dron ukrainas ka vrarë të paktën 13 persona...

Një sulm me dron ukrainas ka vrarë të paktën 13 persona dhe ka plagosur 75 të tjerë në Nizhnekamsk, një qytet në rajonin e Tatarstanit thellë brenda Rusisë, thanë autoritetet lokale të hënën, duke shënuar sulmin më vdekjeprurës që ka goditur vendin në më shumë se dy vjet.

Nizhnekamsk ndodhet më shumë se 1,000 kilometra në lindje të Moskës dhe është vendi i rafinerisë së madhe të naftës Taneco, që forcat e armatosura të Ukrainës thanë se e kishin shënjestruar.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale, tregojnë një zjarr të madh që shpërthen dhe re tymi që ngrihen nga një zonë pak jashtë qytetit, afër asaj që duket të jetë kulla karakteristike e një rafinerie nafte. Nuk është e qartë saktësisht se çfarë u godit në sulm.

Sulmi vjen ndërsa Rusia dhe Ukraina intensifikojnë sulmet e tyre ajrore kundër njëra-tjetrës, ndërsa vijat e frontit të luftës kryesisht nuk kanë ndryshuar.

Më shumë dronë dhe raketa po cajnë mbrojtjet ajrore të dobësuara të të dyja palëve, që do të thotë se numri i viktimave civile është rritur dhe po dëmtohet më shumë infrastrukturë kritike.

Qershori ishte muaji më vdekjeprurës për civilët ukrainas që nga prilli i vitit 2022, pasi 1,396 persona u vranë dhe 7,978 u plagosën, sipas OKB-së.

Një fëmijë ishte mes të vrarëve në Nizhnekamsk, sipas Komitetit Hetimor Rus, ndërsa 21 persona janë shtruar në spital. Edhe katër persona të tjerë u vranë gjatë 24 orëve të fundit në rajonin rus të Belgorodit, i cili kufizohet me Ukrainën, tha të hënën guvernatori i rajonit.

Ndërsa teknologjia e dronëve me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës është përmirësuar në muajt e fundit, ajo ka demonstruar një aftësi të re për të goditur shpesh infrastrukturën thellë brenda Rusisë, si rafineritë e naftës, cisternat, nënstacionet e energjisë dhe infrastrukturën më të gjerë të energjisë, si dhe depot që i përkasin shitësit më të madh online të Rusisë, Ëildberries.

Sulmet ndaj depove të Ëildberries muajin e kaluar vranë të paktën tetë persona në një ditë të vetme, që, deri në sulmin e së hënës në Nizhnekamsk, ishte sulmi më vdekjeprurës ukrainas brenda Rusisë.

Në anën tjetër, sulmet e Rusisë në Ukrainë janë edhe më vdekjeprurëse. Vetëm në një natë, më herët këtë muaj raketat ruse vranë 17 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë në rajonin e Kievit. (Armend Murseli, TVM2)