Botë
Sulmi me dron shkakton zjarr të madh në rafinerinë e naftës në Libi
11.08.2026 11:50
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë rafinerinë e Zauiyas në Libi pas një sulmi me dron...

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë rafinerinë e Zauiyas në Libi pas një sulmi me dron, ndërsa ekipet zjarrfikëse po vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët. Kompania Kombëtare Libiane e Naftës (NOC) ka paralajmëruar se, nëse sulmet ndaj objekteve të rafinerisë vazhdojnë, mund të pezullojë aktivitetin.
Shërbimi i Ambulancës dhe Emergjencave në Libi bëri të ditur të martën se nuk janë raportuar persona me plagosje të rënda. Shumica e pacientëve të trajtuar kishin probleme të shkaktuara nga thithja e tymit. Pamjet nga zona tregojnë flakë të mëdha dhe shtëllunga të dendura tymi të zi, që ngrihen mbi kompleksin industrial.
Rafineria e Zauiyas ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tripoli dhe është rafineria më e madhe funksionale në Libi, me kapacitet për përpunimin e rreth 120 mijë fuçive naftë në ditë.
Sipas NOC-së, zjarri shpërtheu të hënën në mbrëmje në rezervuarin 402-T, në pronësi të kompanisë Brega Oil. Rezervuari përmbante rreth 4.5 milionë litra karburant. Kompania tha se rezervuari u godit drejtpërdrejt nga një sulm me dron, duke shkaktuar një zjarr të fuqishëm dhe më pas shembjen e plotë të tij.
Sulmi i së hënës ishte, sipas NOC-së, pjesë e një serie sulmesh ndaj objekteve të rëndësishme të rafinerisë. Një ditë më parë, një impiant për shkripëzimin e ujit ishte goditur nga dronë, ndërsa të shtunën ishte sulmuar një rezervuar nafte.
Autoritetet shpallën gjendje emergjence maksimale në zonë dhe kërkuan nisjen e një hetimi për të përcaktuar përgjegjësit. Deri tani, asnjë grup nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmet dhe autoritetet libiane nuk kanë bërë të ditur se kush dyshohet se qëndron pas tyre.
Situata u përkeqësua edhe më tej disa orë pas zjarrit, kur NOC njoftoi se rafineria ishte sërish objekt i një sulmi me dron. Sipas kompanisë, një dron goditi një impiant për përzierjen dhe mbushjen e vajrave, që operohet nga Zauiya Oil Refining Company.
Droni ra pranë rezervuarit kryesor të naftës dhe rrjetit të tubacioneve që përdoret për prodhimin e vajrave për tregun vendas. Sulmi i fundit nuk shkaktoi viktima apo dëme të raportuara në këto struktura. Megjithatë, bordi drejtues i kompanisë paralajmëroi se vazhdimi i sulmeve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për funksionimin e rafinerisë.
Kompania Brega Oil u bëri thirrje të gjitha palëve të ndalin luftimet dhe të qëndrojnë larg objekteve dhe depove të naftës. Sipas kompanisë, këto objekte përbëjnë infrastrukturë jetike për vendin dhe janë pronë e të gjithë libianëve, ndaj mbrojtja e tyre është një përgjegjësi kombëtare.
Sulmet ndaj rafinerisë së Zauiyas rikthejnë në vëmendje problemet e vazhdueshme të sigurisë në Libi, një vend që vazhdon të jetë i ndarë politikisht dhe ku grupe të ndryshme të armatosura ruajnë ndikim të konsiderueshëm.
