Maqedoni
LSDM lëshon “bombën” e radhës, në qendër të saj funksionarët e BDI-së
16.06.2015 16:43
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi sot “bombën” e radhës, e cila kishte në qendër të saj bisedat mes funksionarëve më të lartë të BDI-së dhe krerëve të dy partive në koalicionin qeverisës...

Në audio-xhirime, sipas LSDM-së, tregohet se si vetë kryeministri Gruevski kërkon ndihmën e liderit të BDI-së për shkatërrimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
Ahmeti i thotë Gruevskit se gjithçka që është ilegale duhet të rrënohet. Gruevski kërkon ndihmë nga Ahmeti të menaxhojë situatën që të mos eskalojë në tension ndëretnik.
Në të tjera biseda flitet edhe për anashkalimin që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve i bën projektit të BDI-së që lidh rrugën Tetovë–Prizren, një nga premtimet e liderit të BDI-së gjatë fushatës zgjedhore, e që ish ministri i Transportit, Mile Janakievski, e hoqi nga lista e projekteve edhe pse bëhej fjalë vetëm për një projekt prej 3 milionë denarësh.
Ahmeti i jep detyrë zëvendësministrit të Transportit, Tahir Hanit, që ankesën ta dërgojë tek zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, dhe ai këtë ta vendosë në rend dite në mbledhjen e parë të qeverisë.
“Një bisedë zbulon se është eliminuar projekti që Ali Ahmeti e ka promovuar në fushatën zgjedhore si për shembull rruga Tetovë-Prizren. Personalisht zëvendësministri i atëhershëm i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Tahir Hani, e lajmëron Ahmetin se 80% e projekteve të BDI-së janë të larguara nga programi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Gjithashtu në audio-xhirime, sipas LSDM-së, tregohen marrëveshjet e bëra për Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, e cila i është dhënë me koncesion një firme norvegjeze të afërt me BDI-në dhe jo firmës turke që kishte dokumentacion më të kompletuar.
“Kryesia e BDI-së ka funksionuar ngjashëm si VMRO-DPMNE-ja edhe në orientimin e tyre drejt parave dhe interesave personale, por edhe sa i përket mekanizmave që shfrytëzojnë për të ngelur në pushtet”- tha Zaev.
Edhe në “bombën” e sotme nuk mungoi ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila vazhdoi t’i quaj shqiptarët “fis i egër indian” dhe “shiptarishta”, të cilët, sipas saj, mund të mobilizohen dhe në shenjë pakënaqësie të shkaktojnë ndonjë incident nëse policia asiston punën e Inspektoratit të Ndërtimtarisë.
Lideri i LSDM-së paralajmëroi se edhe më tej do të vazhdojë publikimin e audio-xhirimeve, sipas tij, deri sa të jetë e nevojshme.
SANIJE KASAMI
