Gjykata Speciale në Hagë, Thaçi do ta pres verdiktin final në paraburgim
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbetet në paraburgim...

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbetet në paraburgim të paktën deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin kundër tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në prag të vendimit gjyqësor të 16 shtatorit, Trupi Gjykues ka refuzuar lirimin e tij me kusht duke marrë vendim që për të 27-tën here, atij t’i vazhdohet paraburgimi.
Trupi Gjykues si arsye kryesore të vazhdimit të paraburgimit deri në fund të procesit ka dhënë pretendimin se Thaçi mund të ndikojë në proces apo në dëshmitarë.
“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendimin e Trupit Gjykues.
Seanca për dhënien e verdiktit final në Hagë do të mbahet më 16 shtator. Kryegjyqtari vendimtar, Charles Smith, me këtë rast ka urdhëruar palët që të mos dërgojnë më parashtresa për rishiqimin tjetër të paraburgimit, i caktuar sipas afateve më 9 tetor të vitit 2026, gati një muaj pas verdiktit.
“Duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit është caktuar për të mërkurën, më 16 shtator 2026, Paneli konsideron se, në këtë fazë, nuk është e nevojshme të urdhërojë Palët të dorëzojnë parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Thaçi”, thuhet më tutje në vendim.
