Shënimi i 35 vjetorit të shtetit, BDI akuza për përjashtimin e shqipes
Klipi qeveritar për shënimin e 35 vjetorit të pavarësisë...

Klipi qeveritar për shënimin e 35 vjetorit të pavarësisë së shtetit ka përplasur edhe partitë shqiptare. BDI ka kritikuar video materialin duke thënë se i njëjti nuk përfshin shqiptarët, gjuhën shqipe, e as të arriturat historike të vendit si Marrëveshja e Ohrit e anëtarësimi në NATO.
“Janë fshirë pikërisht momentet historike që e transformuan shtetin nga një projekt etnik në një shtet të përbashkët, që e ankoruan në NATO dhe që e hapën rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ky spot, në fakt, është fotografia më e saktë e kësaj Qeverie: një Qeveri e përjashtimit”, thonë nga BDI.
VLEN distancohen nga akuzat
Por nga VLEN distancohen nga akuzat.
“Nuk e kam parë as unë spotin dhe nuk dij cili është planifikimi i qeverisë në lidhje me organizimin që po e përmendni, por do të marrim informata dhe do t’iu njoftojmë patjetër.” – deklaroi zëdhënësi i VLEN, Driton Sulejmani
LSDM dhe VMRO “përplasen” për flamurin
Ndërkohë partitë maqedonase kanë vazhduar akuzat rreth shfqajes së flamurit me 12 rreze në vend të 8 rrezeve që ka. Nga LSDM kërkojnë përgjegjësi për flamurin e gabuar. VMRO – DPMNE kundërpërgjigjet me akuza ndaj LSDM-së.
“Për kremtimin e turpshëm që përfshinte poshtërimin e simboleve shtetërore maqedonase, konkretisht të flamurit, ligji parashikon qartë sanksione. Neni 4 i Ligjit për Përdorimin e Stemës, Flamurit dhe Himnit përcakton qartë mënyrën se si mund të përdoret flamuri shtetëror. Ligji përmban gjithashtu dispozita ndëshkuese.” – tha sekretari i LSDM-së, Andrej Zhernovski.
“Si parti, ata janë shfaqur dhjetëra herë me flamurin e gabuar, dhe jo si pjesë e ndonjë instalacioni artistik, por në festimet partiake. Filipçe dhe LSDM janë kundër festimit për pavarësinë dhe nuk u pëlqen fakti që Maqedonia përfaqësohet aty”, thonë nga VMRO – DPMNE.
Përplasjet politike nisën pas spektaklit nismëtar në Ohër për shënimin e 35 vjetorit të pavarësisë së shtetit. Eventi do të kulmojë më 4 shtator në Shkup. (Meral Ismaili, TVM2)
