Rama: Serbia nuk mund të injorojë pasojat për Kosovën

11.08.2026 17:37

Kryeministri Edi Rama reagoi mbi deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç...

Kryeministri Edi Rama reagoi mbi deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe ministrit të tij të Jashtëm, që i kërkojnë Tiranës zyrtare të qëndrojë larg çështjes së Lumit Ibër, pasi Serbia paralajmëroi se do të devijojë lumin që është furnizuesi kryesor hidrik të liqenit të Ujmanit në Kosovë.

Rama, thotë se çështja e Lumit ringjalli te Serbia ankthin historik të “Shqipërisë së Madhe”.

“Ekziston një copëz e çuditshme folklori politik në Beograd që duket imune ndaj kohës: sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, menjëherë duhet thirrur “Shqipëria e Madhe”, sikur përsëritja mund ta kthejë një ditë një fantazmë të vjetër në argument të vlefshëm.

“Nuk do ta kthejë. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë. As nuk na duhet një “Shqipëri e Madhe” për të qëndruar pranë Kosovës. Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis”.

Duke u ndalur të çështja e devijimit të lumit, kryeministri Rama thotë se Serbia nuk mund ta trajtojë si çështje vetëm të territorit të saj.

“Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo çfarë nuk mund ta argumentojë me arsye është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen si me magji te kufiri serb. Kjo, në fund të fundit, është arsyeja pse ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave. Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo pikat e bisedës diplomatike”.

Në fund, kreu i qeverisë thotë se Shqipëria mbështet marrëdhëniet e mira fqinjësore, por se fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë të kalohet te versionin serb të historisë.

“Ballkani ka paguar tashmë shumë e tepër, në gjak dhe në kohë të humbur, për atë lloj kompromisi”.

Deklaratat e Vuçiç se do të devijojë Lumin Ibër kanë nxitur reagime të forta edhe në Kosovë. Ushtruesja e detyrës së Presidentes Albulena Haxhiu u kërkoi diplomatëve të Kosovës të adresojnë me partnerët ndërkombëtarë, shqetësimin për deklaratat e Vuçiçit, ndërsa kryeministri Kurti ende nuk ka pasur një reagim. (Luljeta Ndoka, TVM2)