Tërmeti 7.4 ballë shkatërron Kolumbinë, mbi 100 të vdekur, qindra të lënduar dhe të zhdukur
Tërmeti katastrofik me magnitudë 7.4 ballë...

Tërmeti katastrofik me magnitudë 7.4 ballë sipas shkallës Rihter ka shkatërruar Kolumbinë. Mbi njëqind njerëz kanë humbur jetën, qindra janë plagosur, ndërsa shumë të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.
Nën rrënoja vazhdon pa ndërprerje gara me kohën ekipet e shpëtimit dhe familjarët po kërkojnë të mbijetuar. Frika është se bilanci tragjik do të rritet edhe më tej.
“Hasëm dikë që bërtiste për ndihmë. Fatkeqësisht, operacioni i shpëtimit zgjati shumë dhe kur e nxorën, ai tashmë kishte vdekur. Por, vetëm pak çaste më parë, herët në mëngjes, u nxor e gjallë një vajzë e vogël.” – tha Hoze Luis Lozano, një banor lokal.
Autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme. U vendos edhe orë policore dhe u dislokuan forcat e sigurisë për të parandaluar plaçkitjet.
“Gjëja e parë është shpëtimi i njerëzve të bllokuar nën rrënoja. Ky është prioriteti.” – u shpreh Presidenti i Kolumbisë, Abelardo De La Espriella.
Epiqendra e tërmetit ishte pranë San Hoze del Palmarit, rreth 400 kilometra në perëndim të Bogotës, ndërsa më të goditura janë Pereira, Kali, Kibdo dhe Manizales. Mijëra objekte janë dëmtuar ose janë shembur plotësisht.
“Tërmeti ishte i tmerrshëm, dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë. Gjithçka ra, gjithçka u ça. Në ndërtesë kishte rrjedhje uji. Kur zbrita, pamë se ndërtesa pranë nesh ishte shembur plotësisht.” – deklaroi Sandra, banore e një ndërtese të dëmtuar në Kali.
Tërmeti shkaktoi kaos edhe në trafikun ajror. Disa aeroporte u mbyllën përkohësisht, ndërsa qindra pasagjerë mbetën të bllokuar për shkak të anulimit dhe vonesave të fluturimeve.
“Po presim që të na sigurojnë një fluturim tjetër për në Medellin në vend të Pereira-s, pasi fluturimi ynë u anulua.”
“Planifikonim të udhëtonim për në Pereira dhe të qëndronim në Kolumbi për 15 ditë, por duhet të kërkojmë një alternativë. Tërmeti na prishi planet.” – thanë disa nga pasagjerët.
Tërmeti u ndje edhe në vendet fqinje. Ekuadori dhe Panamaja raportuan dëme minimale materiale. Uashingtoni njoftoi 15.5 milionë dollarë ndihmë emergjente për sigurimin e strehimit, ushqimit dhe mjeteve të tjera të nevojshme.
Ndihmë kanë paralajmëruar edhe disa vende të Amerikës Latine.
“Kam dhënë urdhër që të organizohet ndihmë humanitare për t’u dërguar në Kolumbi, së bashku me ekipin e shpëtimit.” – theksoi Delsi Rodriguez, Presidente në detyrë e Venezuelës.
BE-ja aktivizoi sistemin satelitor „Copernicus“ për të mbështetur operacionet e shpëtimit.
“Tashmë kemi mobilizuar ‘Copernicus’, sistemin tonë satelitor, për të lehtësuar operacionet e shpëtimit. Dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë shtesë.” – tha mes tjerash Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
Skena e dëshpëruar kujtoi kërkimet që ende po vazhdojnë në Venezuelën fqinje, pasi vendi u shkatërrua nga dy tërmete të fuqishme në fund të qershorit, të cilat shkaktuan vdekjen e mbi 6.300 njerëzve. (Armend Murseli, TVM2)
