Qeveria propozon ndryshime në Ligjin për Azil, OKB paralajmëron valë të re azilkërkuesish
Të gjithë emigrantët që hyjnë në Maqedoni do të kenë 72 orë qëndrim legal dhe gjatë këtij afati do të duhet të bëjnë kërkesën për azil ose të lëshojnë vendin...

Këto janë propozim-ndryshimet e Ligjit për Azil, që kanë kaluar në qeveri, e cila i propozon kuvendit që këto ndryshime të shqyrtohen me procedurë të shpejtë parlamentare.
“Parashihet, i huaj në kalimin kufitar ose në brendi të Republikës së Maqedonisë, të mund të tregojë qëllimin para personit policor të autorizuar për të parashtruar kërkesë për t’ia njohur të drejtën për azil. Pasi ta theksojë këtë qëllim, i cili mund të bëhet gojarisht ose me shkrim, nëpunësi policor do ta informojë ose do ta udhëzojë personin se në afat prej 72 orë ai edhe zyrtarisht mund të parashtrojë kërkesën për të drejtën për azil”- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.
Sipas të gjitha gjasave, gjatë ditës së hënë ky ligj do të kalojë edhe në parlament. Me legalizimin e qëndrimit të tyre, emigrantët do të mund të përdorin transportin publik dhe të mira të tjera, të cilat deri tani ishin të ndaluara me ligj.
Gjorgjiev, njoftoi se është formuar një ekip koordinativ i përbërë nga pesë ministri, përkatësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë ajo e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, trup ky që do të ndjek situatën me valën e azilkërkuesve.
Maqedonia mund të përballet me një valë të re azilkërkuesish nga Siria. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se 23,000 refugjatë kanë ikur nga luftimet në veri të Sirisë dhe kanë hyrë në Turqi në javët e fundit. Lajmin e ka të bërë të ditur, në Gjenevë, Villiam Spindler, zëdhënës i Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatë.
Edhe pse pjesa dërmuese janë azilkërkues që tranzitojnë nëpër Maqedoni, një fluks i tillë do të jetë një sfidë e vështirë për Maqedoninë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
