Maqedoni
Vijon afati i gushtit i maturës shtetërore
12.08.2026 13:18
Afati i gushtit për provimet eksternë të maturës për kandidatët që nuk e kaluan...

Afati i gushtit për provimet eksternë të maturës për kandidatët që nuk e kaluan ose nuk e përfunduan me sukses në qershor po zhvillohet sot dhe të premten (14 gusht), duke filluar nga ora 09:00.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve), në gusht për maturën shtetërore janë regjistruar 1.328 nxënës, për maturën profesionale 126 dhe gjashtë nxënës për maturën artistike.Kandidatët e regjistruar sot do t’i nënshtrohen provimit të zgjedhur ekstern – matematikë ose gjuhë angleze. Për gjuhët e tjera të huaja – gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht, të cilat i japin vetëm nxënësit e gjimnazeve – nuk ka kandidatë në gusht. Nuk ka kandidatë as për lëndën histori, e cila është pjesë e maturës artistike.
Më 14 gusht do të zhvillohet provimi i detyrueshëm ekstern – gjuha amtare dhe letërsia.Mes kandidatëve që do t’i nënshtrohen maturës këtë javë janë edhe 226 maturantë, të cilëve u ishte anuluar provimi në qershor.
Një pjesë e tyre u kapën duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për të tjerët u konstatua se kishin kopjuar pas kontrollimit të testeve. Nota mesatare e maturës në qershor ishte 3,66 për të tre llojet e maturës – shtetërore, profesionale dhe artistike, të cilat këtë vit u zhvilluan për herë të parë në këtë formë.
Nota mesatare për maturën shtetërore ishte 3,62, për atë profesionale 3,91, ndërsa për maturën artistike 3,59.
