Maqedoni

QMK: Brenda 24 orësh janë regjistruar 24 zjarre

12.08.2026 13:36

Brenda 24 orëve të kaluara, në të gjithë territorin e vendit...

Brenda 24 orëve të kaluara, në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 24 zjarre në ambiente të hapura. Prej tyre, 20 janë shuar plotësisht, ndërsa zjarret në deponinë e qytetit në Dellçevë dhe në malin Ograzhden janë vënë nën kontroll.
 
Aktive mbeten zjarri në Novosellë dhe ai në Moran të Studeniçanit, ku digjen bimësi e ulët, pyje dhe shkurre, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe një sipërfaqe me pyll të përzier. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza informojnë se gjatë pasdites është përhapur edhe një zjarr në afërsi të Zhelinës.
 
“Zjari në komunën e Studeniçanit është ende aktiv dhe presim gjatë ditës së sotme të intervenojnë edhe airoplanet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Gjithashtu kemi edhe një zjarrë në komunën e Tetovës në afrësi të Zhelinës dhe presim të na informojnë për gjendjen për të intervenuar nga ajri. 95 për qind të zjarrëve janë të qëllimshme  disa pa qëllimshme”, deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali. 
 
Zjarri në afërsi të deponisë në Novosellë shpërtheu dje, në orët e pasdites. Autoritetet lokale dyshojnë se zjarri është shkaktuar qëllimisht, pasi, sipas informacioneve jozyrtare, në deponi hidheshin mbetje të ndezshme.
 
Flakët dolën jashtë hapësirës së deponisë dhe përfshinë kodrat përreth dhe brezin pyjor, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta favorizuan përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Për përcaktimin e përgjegjësisë po zhvillohet procedurë në bashkëpunim me SPB-në e Strumicës.
 
“Nga një zjarr në deponi, situata është shndërruar në një zjarr serioz pyjor, me rrezik për përhapje të mëtejshme. Kushtet për shuarjen e zjarrit janë jashtëzakonisht të vështira. Sasia e madhe e mbetjeve, temperaturat e larta, bimësia e thatë dhe era e fortë krijojnë kushte që zjarri të përhapet me shpejtësi dhe të përfshijë sipërfaqe të reja", thuhet në komunikatën e lëshuar nga NJTZ Strumicë.
 
Mbrëmë tre automjete zjarrfikëse me tetë zjarrfikës-shpëtues kanë vazhduar me shuarjen e zjarrit pranë deponisë në fshatin Novosellë. Nga NJTZ Strumicë u bëjnë apel qytetarëve të mos i afrohen zonës së përfshirë nga zjarri dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve në terren.
 
REXHEP QAMILI