Sportet E Tjera
Battocleti mbrojti titullin e kampiones
12.08.2026 13:38
Visser triumfoi me fotofinish në 100 metra me pengesa...

Italiania Nadia Battocletti (26) mbrojti titullin e kampiones së Europës në 5.000 metra, të fituar dy vite më parë në Romë. Battocletti me një sprint të pandalshëm në 400 metrat e fundit, siguroi një fitore bindëse me kohën 15:37.84. Ndwrsa atletja e Kosovës, Gresa Bakraçi, nuk e ka përfunduar garën në 5000 metra.
Hungarezi Bence Halasz (29) fitoi titullin e kampionit të Europës në hedhjen e çekiçit, duke vendosur rezultatin më të mirë botëror të sezonit në këtë disiplinë. Halasz, në serinë e pestë dhe të parafundit, e hodhi çekiçin në 84.25 metra, duke e përmirësuar me 61 centimetra rezultatin e kanadezit Ethan Katzberg, i cili deri atëherë mbante rezultatin më të mirë të sezonit.
Holandezja Nadine Visser (31) është kampione e Europës në 100 metra me pengesa. Në finale, ajo mposhti me vetëm një të mijtën e sekondës polaken Pia Skrzyszoëską (25), e cila mori medaljen e argjendtë. Fituesja u përcaktua vetëm pas një shqyrtimi të gjatë të fotofinishit. Si Visser, ashtu edhe Skrzyszoëską u regjistruan me kohën 12.67 sekonda.
Greku Miltiadis Tentoglou (28) vazhdoi dominimin në kërcimin së gjati në garat e mëdha, duke fituar titullin e katërt europian në Birmingham. Tentoglou siguroi titullin e tretë radhazi dhe të katërtin në total (Berlin 2018, Mynih 2022, Romë 2024, Birmingham 2026) me një kërcim prej 8.44 metrash në serinë e katërt. Britaniku Romell Glave (26) fitoi titullin e kampionit të Europës në 100 metra. Para publikut vendas, ai fitoi medaljen e artë me kohën modeste 10.09 sekonda. Festën e dyfishtë britanikëve ua siguroi Jeremiah Azu (25), i cili fitoi argjendin me 10.16 sekonda, ndërsa gjermani Owen Ansah (25) mori bronzin me 10.19.
Në mesin e të zhgënjyerve të garës u përfshi mbrojtësi i titullit nga Roma dy vite më parë dhe kampioni olimpik i Tokios, italiani Lamont Marcell Jacobs (31). Ai u lwndua sërish, për të disatën herë në karrierë, dhe kaloi vijën e finishit duke çaluar, në vendin e shtatë, me kohën 12.26 sekonda.
