Maqedoni

ISHP, javën e fundit 13 të prekur nga ethet e Nilit

12.08.2026 13:45

Gjithsej 26 persona janë prekur nga ethet e Nilit Perëndimor...

Gjithsej 26 persona janë prekur nga ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilëve 13 janë raste të reja të regjistruara gjatë javës së fundit. Ky është bilanci shëndetësor në vend sa i përket etheve të Nilit Perëndimor.
 
Nga numri i përgjithshëm, 24 raste janë të konfirmuara, ndërsa dy konsiderohen të dyshimta, pasi testi i parë u ka dalë negativ, por ndërkohë kanë shfaqur të gjitha simptomat e etheve të Nilit Perëndimor. 25 nga të prekurit janë nga Shkupi, ndërsa vetëm një rast është nga Velesi. Të gjithë pacientët janë mbi 60 vjeç dhe janë pickuar nga mushkonjat tigër, të cilat e transmetojnë virusin e Nilit Perëndimor.
 
“Deri më 11 gusht janë regjistruar 13 raste të reja me ethet e Nilit Perëndimor. Të gjitha 24 rastet e konfirmuara deri tani, përfshirë edhe rastet e kësaj jave, janë me formë neuroinvazive dhe të gjithë janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, me përjashtim të një pacienti, i cili ndodhet në një spital privat. Më 11 gusht është shpallur epidemi në territorin e Qendrës së Shëndetit Publik – Shkup, në zonat e prekura ku janë regjistruar rastet, përkatësisht në Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden”, deklaroi Marija Goçevska nga ISHP.
 
Cana, aktualisht 5 pacientë në gjendje të rëndë                                     
 
Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive, Fadil Cana tha se deri tani 8 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar për trajtim në shtëpi. Ndërkohë, një pacient 83-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa pesë pacientë të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë klinike dhe në ventilim mekanik. Po bëhet çmos për t’i kuruar të gjithë me sukses, thotë Cana.
 
“Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, deri tani 8 pacientë janë shëruar plotësisht dhe janë dërguar për trajtim në shtëpi. Por, për fat të keq, duhet të them se një pacient 83-vjeçar, me inicialet A.V. nga Shkupi, ka ndërruar jetë dhe te ai ishte konfirmuar ethet e Nilit Perëndimor. Duhet të theksohet se ky pacient kishte edhe disa sëmundje të tjera shoqëruese. Ndërkohë, aktualisht edhe pesë pacientë të tjerë janë në gjendje të rëndë klinike dhe janë të vendosur në ventilim mekanik”, u shpreh drejtori i klinikës universitare për sëmundje infektive në Shkup, Fadil Cana
 
Andovski, nuk ka vend për panikë nga ethet e Nilit
 
Zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski qetëson qytetarët se nuk ka vend për panik. Ai thotë se institucionet po ndërmarrin masa konkrete, ndërsa thekson se më e rëndësishmja është respektimi i rekomandimeve për mbrojtje nga mushkonjat.
 
“Mesazhi ynë është i qartë, pra nuk ka vend për panik, por ka vend për kujdes, sjellje të përgjegjshme dhe respektim të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë ta monitorojë situatën në vazhdimësi”, theksoi zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski                                                                                     
 
Përderisa vazhdon përgjigjja institucionale ndaj këtyre sëmundjeve, në zonat e prekura në kryeqytet po vazhdon edhe spërkatja kundër mushkonjave.
 
Në këto vendbanime pritet që ulja e numrit të të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor, virusi Zika dhe sëmundje të tjera që transmetohen nga mushkonjat të fillojë të vërehet me ndryshimin e motit, përkatësisht me rënien e temperaturave gjatë vjeshtës.
 
REXHEP QAMILI