BDI, Nedim Rama bleu aksione në Mercedes-Benz
Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur dyshime...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur dyshime lidhur me deklaratën e pasurisë së drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama, me ç’rast ka kërkuar sqarime për mënyrën se si ai ka financuar blerjen e aksioneve në kompani të huaja, përfshirë kompaninë gjermane “Mercedes-Benz Group AG”, gjatë kohës që ushtronte funksionin e drejtorit të ndërmarrjes shtetërore.
“Rama ka deklaruar aksione në kompani të mëdha të huaja, mes tyre edhe në kompaninë gjermane Mercedes-Benz Group AG. Por problemi kryesor është data. Sipas vetë deklarimit të tij, këto pjesëmarrje janë fituar më 22 prill 2026, në kohën kur Nedim Rama tashmë ishte në krye të NOMAGAS-it. Prandaj sot kërkojmë përgjigje konkrete: Me çfarë parash Nedim Rama bleu aksione në kompani të huaja gjatë mandatit të tij si drejtor? Sa ka investuar konkretisht në Mercedes-Benz Group AG? Nga cila llogari janë transferuar mjetet? Cili është burimi i kapitalit? A janë deklaruar këto investime në afatin ligjor? Dhe a ka investime të tjera jashtë vendit që ende nuk janë bërë publike?”, theksojnpë nga BDI.
Nga kjo parti kërkojnë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të verifikojë burimin e mjeteve, datën e blerjes, vlerën e investimeve dhe kohën e deklarimit të aksioneve të Nedim Ramës.
VLEN, Nedim Rama e ka deklaruar pasurinë e tij
Kundërpërgjigjen nga VLEN. BDI u përpoq përsëri të ndërtojë një aferë ku ka investime të raportuara publikisht, të ligjshme dhe plotësisht të verifikueshme. Nga të dhënat që vetë Nedim Rama i ka paraqitur në Komisionin anti korrupcion, partia që ka krijuar perandori biznesi familjar për dy dekada ka përpiluar një deklaratë me shumë pyetje, por pa asnjë prove, theksojnë nga VLEN.
“Fakti që Nedim Rama personalisht në një dokument zyrtar dhe publik në të cilin çdo qytetar ka qasje, konform me ligjin, ka paraqitur të gjitha aktivitetet e tij financiare dhe jofinanciare, paraqet mohim të drejtpërdrejtë të aludimeve të BDI-së. Tregtimi i aksioneve në ‘Mercedes’ ose kompani të tjera të tilla si ‘Novo Nordisk’ dhe ‘SOFI Technologies’, është një aktivitet plotësisht i ligjshëm, i lejuar në përputhje me rregulloret në fuqi në vend. Sidomos kur bëhet fjalë për tregtimin e një numri të vogël aksionesh. Përveç kësaj, fitime kapitale u realizuan nga tregtimi i aksioneve, të cilat u raportuan në mënyrë transparente dhe për të cilat iu pagua taksë shtetit. Është një manipulim i madh të paraqiten pasuritë e deklaruara publikisht si ‘të zbuluara’ ose si kapital i fshehur. BDI nuk paraqiti asnjë provë se një denar i vetëm është përdorur për aksionet nga ‘NOMAGAS’, nga buxheti i shtetit, nga një tender publik ose nga një burim i paligjshëm, sepse ata vetë e dinë se kjo nuk është e vërtetë”, theksojnë nga VLEN.
Ndërkohë nga VLEN kanë edhe disa pyetje për BDI-në: “Nga erdhën qindra miliona euro në prona dhe biznese me të cilat është e lidhur familja e Ali Ahmetit, vetëm në territorin e Shkupit? Si lulëzoi biznesi i vëllait të Bujar Osmanit, ndërsa Osmani mbante disa nga pozicionet më të larta shtetërore dhe çfarë ndodhi me atë biznes? Cilat lidhje shtetërore dhe institucionale hapën dyert për bizneset dhe angazhimet e vëllait të Arbër Ademit? Si u bënë saktësisht familjet në krye të BDI-së, pas më shumë se dy dekadash në pushtet, pronarë të kompanive, qendrave të biznesit, pasurive të paluajtshme, koncesioneve dhe bizneseve miliona dollarëshe?”, pyesin nga VLEN, duke shtuar se këto janë pyetjet nga të cilat BDI po ikën.
Këto janë milionat që BDI nuk dëshiron kurrë t’u përgjigjet. (Abibe Qaili, TVM2)
