Tërmeti shkatërrues në Kolumbi, bota mobilizohet me ekipe shpëtimi dhe ndihma

12.08.2026 18:32

36 orë pas tërmetit shkatërrues që goditi Kolumbinë...

36 orë pas tërmetit shkatërrues që goditi Kolumbinë, ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin të gjallë një 32-vjeçare nga rrënojat. Ndërkohë, ekipet vijojnë garën me kohën, me shpresën se nën blloqet e betonit mund të ketë ende të mbijetuar.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhduan edhe gjatë orëve të mëngjesit në dhjetëra qytete të prekura. Shpëtimtarët po punojnë pa ndërprerje, ndërsa çdo minutë është vendimtare për gjetjen dhe shpëtimin e personave që mund të jenë ende nën rrënoja.

“Aktualisht po shpëtojmë dy të mbijetuar – një burrë dhe një grua, të dy rreth 36 vjeç. Kemi rreth dy orë për t’i shpëtuar.” – tha Eduardo Ojeda • shpëtimtarë.

Rreziku kanoset edhe nga ndërtesat që ende nuk janë shembur, por që mund të jenë në prag të shembjes. Policia dhe ekipet e shpëtimit shkojnë derë më derë për të evakuuar banorët.

Presidenti, i cili vizitoi qytetin e goditur rëndë, Pereira, njoftoi ndihmë për familjet, shtëpitë e të cilave u shembën në katastrofë.

“M’u thye zemra kur kalova nëpër qendrën e Pereiras dhe pashë objektet e shkatërruara. Do të sigurojmë lehtësim për faturat e shërbimeve komunale për tre muaj dhe subvencione për qiratë për ata që kanë humbur shtëpitë.” – u shpreh Presidenti i Kolumbisë, Abelardo De La Espriella.

OKB-ja paralajmëron se pasojat janë më të mëdha nga sa pritej.

“Kombet e Bashkuara janë në kontakt të ngushtë me autoritetet kolumbiane dhe mbështesin reagimin e udhëhequr nga Qeveria. Ndikimi i këtij tërmeti është më i madh nga sa pritej.” – deklaroi Zv.zëdhënës i OKB-së, Farhan Haq.

Bota po dërgon personel ushtarak, ekipe shpëtimi, mjekë dhe furnizime emergjente me ndihma.

“Të gjithë e pamë tragjedinë e tmerrshme që ndodhi. I dërgojmë solidaritetin tonë të plotë popullit kolumbian, por edhe dërgesën e parë prej 12,5 tonësh ndihma humanitare.” – theksoi Presidentja e Perusë, Keiko Fujimori.

“Po dërgojmë personel ushtarak, përfshirë specialistë për kërkim dhe shpëtim, ekipe me qen kërkimi, personel mjekësor dhe mjekë. Më shumë se 8 mijë pako me ushqime janë tashmë të përgatitura për t’u ngarkuar në avionë, si dhe 13.890 shporta ushqimore dhe katër tonë metrikë ilaçe.” – deklaroi Ministri i Mbrojtjes kombëtare të Meksikës, Ricardo Trevilla Trejo.

Nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin, qindra njerëz kanë humbur jetën, shumë të tjerë janë lënduar, ndërsa vazhdojnë kërkimet edhe për të zhdukur. (Armend Murseli, TVM2)