Në Kalludër vazhdojnë gërmimet në lokacionin e tretë të dyshuar

12.08.2026 23:15

Gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut po vazhdojnë...

Gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut po vazhdojnë, ndërsa institucionet e Kosovës po e zgjerojnë kërkimin për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e fundit. Kjo zonë mbetet kyçe për zbardhjen e fatit të të zhdukurve , ku çdo gërmim sjell shpresë për familjet që presin prej vitesh”.

Në këtë varrezë masive dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë, të njohur si grupi i intelektualëve të Mitrovicës.

Megjithatë, nëse bëhet fjalë për trupat e këtij grupi apo për persona të tjerë të zhdukur, pritet të përcaktohet vetëm pas ekzaminimeve të plota nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Për gërmimet në Kalludër ka folur për RTK-në kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani. Ai ka konfirmuar se sot puna ka nisur në lokacionin e tretë të dyshuar për varrezë masive në këtë fshat.

"Edhe sot është duke u vazhduar me punë me gërmime në varrezën e tretë masive që është shkaktuar nga forcat serbe dhe e cila është duke u kryer në Kalludër tek Zubin Potoku, kemi të konfirmuar se ka eshtra dhe shpresohet se do të ketë gjetje mortore të grupit të intelektualëve të Mitrovicës”, tha Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Deri tani, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar tre persona që dyshohet se lidhen me rastin e varrezës masive në Kalludër të Zubin Potokut. Të tre dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Megjithatë, më shumë se dy dekada pas luftës, gërmimet po zhvillohen në zona të ndryshme, ku mund të fshihet një pjesë e së vërtetës për fatin e të pagjeturve të luftës.

Për të përcaktuar se kujt i përkasin mbetjet e gjetura dhe sa persona mund të jenë varrosur në këtë lokacion, fjala e fundit do t’u takojë ekspertëve të mjekësisë ligjore.