Uji në pritje të “dritës së gjelbër”, nesër publikohen analizat e treta
Të premten mund të jetë dita kur banorët e Gostivarit...

Të premten mund të jetë dita kur banorët e Gostivarit do të marrin përgjigjen që po e presin prej ditësh: a është uji përsëri i sigurt për t’u pirë? Rezultatet e analizave të treta do të bëhen publike në Komunën e Gostivarit, ndërsa sipas informacioneve nga Shtabi Lokal i Krizës, ato janë në drejtim pozitiv.
Pikërisht këto rezultate pritet të përcaktojnë nëse nesër do të hiqet edhe ndalesa për përdorimin e ujit për pije.
Gostivari pa ujë, përplasja politike ashpërsohet
Ndërkohë, çështja e ujit vazhdon të jetë mollë sherri mes pushtetit dhe opozitës. LSDM ripërsërit akuzat se pushteti e ka menaxhuar dobët situatën dhe se rreziku ende nuk ka kaluar. Opozita kërkon që të bëhen analiza të ujit në të gjithë vendin dhe rezultatet të publikohen.
“Kanë kaluar pesë javë dhe qytetarët e Gostivarit ende nuk kanë ujë të pastër. Rezultatet për ujin nuk janë publikuar, ndërsa pushteti çdo ditë del me informacione të ndryshme. Fillimisht thanë se uji mund të përdoret si ujë teknik, ndërsa më pas Klekovski pranoi se në ujë ka baktere, jo vetëm një, por disa.” – tha Maja Borozan nga LSDM.
Por VMRO-DPMNE i kundërpërgjigjet ashpër këtyre akuzave. Nga partia në pushtet akuzojnë LSDM-në për përhapje paniku dhe dezinformata edhe për situatën në Gostivar, edhe për ujin në Shkup.
“Kur njeriu mendon se LSDM e ka prekur fundin, ata përsëri tregojnë vetëm një gjë – se janë një pus pa fund. Këtë herë shkuan aq larg sa me gënjeshtra dhe përhapje paniku t’u thonë qytetarëve se uji në Shkup është i pasigurt për pije.” – u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE
Ndërkohë krahas analizave të ujit, vijon edhe hetimi për rethanat që çuan në ndotjen e tij. Nga hetimi pritet të dalë nëse ka pasur shkelje dhe kush mban përgjegjësi. (Sanije Duraku, TVM2)
