Kosovë, Opozita: Dehari ta thërrasë seancën konstituive

13.08.2026 19:40

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca...

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca në një press konferencë të përbashkët kanë kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet të premten në orën 11:00.

Ata i  bëjnë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që ta thërrasë atë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin, ta respektojë kushtetutën dhe ta thërret seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti, dhe të kemi normalitet dhe ekonomi të Republikës së Kosovës të jetë funksional, gjithashtu edhe subjekteve të tjera politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, i kemi dërgu ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent. Partia Demokratike e Kosovës do të jetë prezent, aleanca është përgjigj pozitivisht dhe presim që do të përgjigjen edhe subjektet e tjera për shkak që është obligim kushtetues moral i secilit prej neve që të jemi në seancë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”. – tha Arian Tahiri nga rradhët e PDK-së.

“Sot ne kemi dërguar një kërkesë zyrtare si aleancë, por në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin e seancës konstituive, zotin Dehari, në mënyrë që nesër, në orën 11:00, kur kalojnë 48-orëshi, në bazë të përcaktimit rregullores së Kuvendit, të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur asnjë përgjigje, nuk kemi marrë asnjë koment, dhe asnjë konsiderim për me ndodhë Kuvendi”. – u shpreh Besnik Tahiri nga AAK.

LDK, ka mbledhur grupin parlamentar për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike.

“Si parti duhet me pasur edhe përgjegjësinë e lartë në kuptimin e thirrjes për me i bërë institucionet, por gjithmonë duke parasysh edhe momentin, duke mos i dhënë kahje tjetër. Ne nuk duam që të shkojmë tek një përçarje qytetare dhe një konflikti”. – deklaroi Jehona Lushaku-Sadriu nga rradhët e LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryesuesi i seancës Avni Dehari mbeten në qëndrimin se seanca konstituive duhet të vazhdojë pas marrëveshjes politike për zgjedhjen e të gjitha institucioneve.

Ndërsa kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka ftuar sërish liderët për takim, por nuk është konfirmuar ndonjë takim me liderët e partive opozitare. (Gyltene Sinani, TVM2)