Eklipsi i Diellit mahnit Evropën, dita u shndërrua në natë, miliona njerëz sytë nga qielli

13.08.2026 20:41

Për disa minuta, dita u shndërrua në natë...

Për disa minuta, dita u shndërrua në natë. Hëna e mbuloi Diellin, ndërsa miliona njerëz në të gjithë Evropën drejtuan sytë nga qielli.

Hija e Hënës nisi nga Rusia veriore, kaloi mbi Grenlandë, Islandë dhe Oqeanin Atlantik, për të arritur deri në Spanjë dhe në një pjesë të vogël të Portugalisë.

Në Islandë, faza e plotë zgjati më shumë se dy minuta. Në Spanjë, spektakli ishte veçanërisht dramatik. Eklipsi i plotë ndodhi pak para perëndimit të Diellit.

“Duke parë efektin e hijes së Tokës, e cila ishte e dukshme nga të dyja anët, së bashku me hijen e krijuar nga Hëna, ishte e pabesueshme. Vërtet një moment i paharrueshëm.”

“Nuk e dija çfarë të prisja, por ishte e pabesueshme

“Është një përvojë që nuk mund të shpjegohet. Thjesht nuk mund të shpjegohet. Duhet ta përjetoni vetë.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar spanjoll.

Vetëm një pjesë e vogël e Portugalisë ndodhej në trajektoren e eklipsit të plotë. Në pjesët e tjera të Evropës, Dielli u mbulua pjesërisht, por spektakli nuk kaloi pa u vënë re.

“Mendoj se ishte një përvojë argëtuese. Hera e fundit kur ndodhi një eklips i plotë i Diellit ishte shumë kohë më parë.”

“Nuk u errësua aq shumë sa në disa vende të tjera, por u errësua dhe arritëm ta shihnim shumë mirë.” – theksuan disa nga qytetarët e Portugalisë.

Në Romë, ndërkaq, qielli dhe historia u bashkuan në një skenë të vetme.

“Mundësia për të kapur edhe pjesën më të vogël të eklipsit pas Koloseut, me atë sfond, ishte thjesht fantastike.” – deklaroi Lusi Tamlin, turiste në Itali.

Nga pjesë të ndryshme të Evropës, reagimet ishin të njëjta – mahnitje, mosbesim dhe momente kur sytë thjesht mbetën të ngulur në qiell.

“Impresionuese. Vërtet e mrekullueshme, më mirë nga sa e prisja.” – u shpreh një qytetare nga Austria.

Pamja la një përshtypje që do të zgjasë shumë më gjatë, ndërsa spektakli qiellor do të vazhdojë në gusht të vitit të ardhshëm. Eklipsi i plotë do të jetë sërish i dukshëm nga Spanja, por edhe nga pjesë të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. (Armend Murseli, TVM2)