Aktakuza për lotarinë shtetërore, BDI: Drejtësi e barabartë, jo përndjekje politike
BDI ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës...

BDI ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për rastin e Lotarisë Shtetërore, duke e cilësuar atë si politik dhe duke kërkuar transparencë të plotë të procesit gjyqësor.
BDI thotë se pas dy vitesh hetime, opinioni duhet të informohet se mbi cilat prova dhe argumente konkrete është ngritur aktakuza.
“BDI shpreh shqetësim serioz për ngritjen e një aktakuze politike për përgjegjësi individuale që buron nga një vendim kolektiv. Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por njëkohësisht kërkojmë drejtësi të barabartë dhe joselektive. Vendimet kolektive nuk mund të shndërrohen në instrument për përgjegjësi selektive dhe përndjekje politike individuale”, theksojnë nga BDI.
Aktakuza për lotarinë shtetërore, VLEN: Pse heshti BDI për dy vjet?
Nga VLEN-i i janë kundërpërgjigjur BDI-së, duke e akuzuar se ka heshtur për dy vjet dhe ka reaguar vetëm pasi Prokuroria ngriti aktakuzë për keqpërdorimet e dyshuara në Lotarinë Shtetërore.
Sipas VLEN-it, është simptomatike që BDI-ja nuk e përmend me emër Artan Grubin, edhe pse reagimi lidhet drejtpërdrejt me rastin ndaj tij.
“BDI heshti për dy vjet, ndërsa sot, kur Prokuroria ngriti aktakuzë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, kërkon mbikëqyrje ndërkombëtare. Pse heshti deri tani? Drejtësi do të ketë për të gjithë. Edhe për ata që për dy dekada e kanë keqpërdorur pushtetin dhe funksionet shtetërore për të mbushur xhepat e tyre” – thonë nga VLEN.
Nga VLEN-i shtojnë se përkatësia partiake nuk mund të shërbejë si mburojë nga përgjegjësia ligjore. (Ersan Pajaziti, TVM2)
