Manifestime për Marrëveshjen e Ohrit, Qeveria dhe BDI me kremtime të ndara

13.08.2026 23:04

Pranë urës së gurit, simbolikës së unifikimit...

Pranë urës së gurit, simbolikës së unifikimit, zyrtarë qeveritarë dhanë theksin rëndësisë së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Jo vetëm se nënvizuan rëndësinë e kësaj date të avancimit dhe barazisë për shqiptarët, por njëkohësisht shprehën mirënjohje për nënshkruesit e dokumentit, por kthyen fokusin kah e ardhmja.

Ministri për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, Agon Ferati, shprehu rëndësinë e përforcimit të besimit midis komuniteteve dhe hapat e mëtejmë që do të ndërmeren për funksionimin e shtetit drejt BE-së.

“Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen. Hapi i ardhshëm nuk është vetëm ta ruajmë paqen si kujtim. Hapi i ardhshëm është ta shndërrojmë paqen në besim, besimin në institucione funksionale dhe institucionet në mundësi për të rinjtë. Sepse 25 vitet e ardhshme nuk do të maten vetëm me atë që kemi ruajtur. Ato do të maten me atë që kemi ndërtuar.” – tha Ministri për sistem politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Agon Ferati.

Manifestimi vazhdoi me një program muzikor.

Ndërkohë edhe BDI zhvilloi një manifestim të posaçëm me një debat rreth Marrëveshjes së Ohrit, sfidave dhë te ardhmes. Të ftuar përpos ish zyrtarëve të vendit ishin edhe ish diplomat nga Kosova dhe Shqipëria.

Edhe në këtë debat rëndësia u vendos në peshën e Marrëveshjes së Ohrit si një gur i rëndësishëm që do ta shpie vendin drejt familjes evropiane.

“Ajo që po ndodhte në Ohër, ato zhvillime që po zhvilloheshin disa prej tyre edhe në Shkup, nuk tangonin vetëm stabilitetin e një shteti të vetëm, por tangonin stabilitetin dhe paqen e një rajoni të tërë. Por, sot pas 25 vitesh pyetja nuk është më dhe nuk duhet të jetë se çka ndodhi më 13 gusht të vitit 2001. Pyetja të cilën duhet ta parashtrojmë është: a u arritën ndryshimet, si u arritën ndryshimet, sa u arritën ndryshimet, kush qëndron prapa garancave për ato ndryshime si dhe çfarë po bëjmë ne çdo ditë për ta ndërtuar këtë shtet si një shtet me marrëdhënie të mira ndëretnike.” – u shpreh Arta Bilalli Zendeli nga rradhët e BDI-së.

Nëpërmjet një dokumentari partia e Ahmetit ktheu vëmendjen në një varg aktivitetesh e bisedimesh që kulmuan me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë. (Meral Ismaili, TVM2)