Maqedoni
Nuland viziton Maqedoninë, Zaev: Nulland mund të përfshihet në bisedime; KE për krizën politike: Junker qëndron pas komisarit Hahn në bisedime
16.06.2015 18:28
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaron se opozita do të pres që kriza politike në Maqedoni të zgjidhet deri më 26 qershor të këtij viti, pas këtij afati do të vazhdohet me protesta...

Po ashtu lideri i LSDM-së, Zaev, konfirmon ardhjen në Maqedoni të ndihmëssekretares së shtetit amerikan për Evropë dhe Azi, Viktorija Nulland.
Sipas Zaevit, nuk do të përjashtohej mundësia që Nulland të kyçet në procesin e bisedimeve pas dështimit të përpjekjeve për arritje të marrëveshjes me ndërmjetësim të Brukselit.
“Zëvendëssekretarja e departamentit të shtetit po vjen në rajon, ndërsa do të vizitojë edhe Maqedoninë. Kjo vizitë është paralajmëruar para disa muajve. Ne nuk përjashtojmë mundësinë e përfshirjes së saj në procesin e bisedimeve, nëse ka qëllime të mira. Pres që nëse brenda 10 ditëve arrihet vullnet i mirë, të vazhdojmë me bisedimet, nëse jo atëherë nuk ka nevojë që të vazhdojmë me negociatat”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkohë, Margaritis Shinas, zëdhënës i Komisionit Evropian, konfirmoi se kryetari i KE¬së, Zhan Klod Junker, qëndron pas komisarit për negociata për zgjerim, Johanes Hahn, në raport të përpjekjeve të tij dhe paanshmërisë gjatë ndërmjetësimit në bisedat për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
Në pyetjen se si Komisioni Evropian i komenton sulmet e LSDM-së, se Han ka qenë i anshëm në interes të VMRO-së dhe kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe madje për atë komisari austriak nuk ka përkrahje në Eurokomision, si dhe të disa vendeve anëtare të Unionit, zëdhënësi i KE-së dha këtë përgjigje: “kryetari Junker qëndron pas të gjithë 27 anëtarëve të kolegjit të tij”.
Ndërkohë, zëdhënësja e komisarit Hahn, Maja Kocijançiç, në thirrjen e Zaevit që kriza të zgjidhet për dhjetë ditë përndryshe do të radikalizohen protestat e LSDM-së, potencoi se Brukseli zyrtar pret që liderët politik në vend të sillen në mënyrë të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
Sipas informatave të KE-së, këtë javë pritet të vazhdojë dialogu i katërshes së liderëve politik me ndërmjetësim të ambasadorëve të BE-së dhe ShBA-së, Aivo Orav dhe Xhes Bejli.
