Kurti fton liderët të takohen për presidentin

14.08.2026 16:22

Pas PDK-së dhe Aleancës, edhe LDK...

Pas PDK-së dhe Aleancës, edhe LDK zgjedh të mbetet në opozitë, por për të mos i bllokuar institucionet shprehet e gatshme të votojë për president jo partiak.

Pas këtij qëndrimi të bërë të ditur një ditë më parë nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u ka shkruar krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me kërkesën që të takohen dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit të shtetit.

Sipas tij, marrëveshja për presidentin duhet të arrihet paraprakisht, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja.

“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, formimi i Qeverisë nuk janë sfida, sfidë është zgjedhja e presidentit, prandaj ne duhet të merremi vesh për zgjedhjen e  presidentit. Jemi të hapur për të bërë diskutime shterruese që të vijmë deri te emri apo emrat”. – tha Kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

LDK, të gatshëm për tu takuar për presidentin

Nga LDK thonë se tashmë e kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në bisedimet për presidentin.

“Diskutimin për presidentin dhe gatishmërinë për të diskutuar për presidentin e kemi dhënë edhe e kemi dëshmuar, edhe dje e kemi konfirmuar, këtë do ta bëjmë.” – tha Jehona Lushaku-Sadriu nga rradhët e LDK-së.  

Hamza, Kurti nuk dëshiron partneritet, por nënshtrim

Por kreu i PDK-së, Bedri Hamza, mbetet në qëndrimin paraprak se partia e tij mbetet në opozitë.

“Nuk i kemi ikur takimeve, kemi folur për marrëveshje gjithpërfshirëse politike, jemi takuar, nuk kanë qenë takime produktive, me rezultat. Zoti Kurti nuk do bashkëpunim, nuk do partneritet, do nënshtrim”. – deklaroi Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Kurti, LDK është dashur të vijë në bashkëqeverisje

Kurti ka komentuar edhe qëndrimin e LDK-së për të qëndruar në opozitë, duke thënë se kjo parti, sipas tij, është dashur të jetë pjesë e bashkëqeverisjes.

“Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve 53 me 18 por edhe deformim i rezultatit nuk mund të jetë. Pra me 18 deputet ta marrish kryetarin e Kuvendit nuk është pak”. – theksoi Kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

Kurti njëherit sqaroi se i kishte ofruar LDK-së që nëse do të dakordohej Vetëvendosja ta kishte kandidat për president Glauk Konjufcën, atëherë LDK do ta merrte zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është konsensual, do ta merrte zëvendëskryeministrin dhe tri ministri.

Por deputetja e LDK-së Lushaku-Sadriu ka thënë se LDK-ja e ka mbyllur mundësinë e diskutimit për një qeverisje të përbashkët me Vetëvendosjen dhe ashtu si edhe dy partitë tjera opozitare PDK dhe Aleanca, edhe LDK kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit. (Gyltene Sinani, TVM2)