Zjarri kaplon Halkidikin në Greqi, evakuohen 480 turistë, përfshirë turistë edhe nga RMV!
Turistë nga Maqedonia e Veriut...

Turistë nga Maqedonia e Veriut natën e kaluar janë evakuuar nga Siviri, në Halkidiki, pasi situata atje ka qenë kritike, për shkak të përhapjes së zjarrit. Turistët, përfshirë këtu edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut, janë njoftuar përmes telefonit dhe mesazheve se duhet të evakuoheshin nga zona e përfshirë nga zjarri.
Në mesin e të evakuuarve ndodhet edhe kolegu i Televizionit të Maqedonisë, Oliver Dimitrov, i cili thotë se zjarri është prëhapur shumë shpejtë, gjë kjo që ka detyruar turistët të largoheshin urgjentisht.
“Për momentin jemi evakuuar në Fourka. Gjendja me zjarrin në Siviri sot është dukshëm më e mirë. Aktualisht nuk ka zjarr të madh aktiv, por në disa vende ende ka vatra zjarri dhe rrezik për riaktivizim. Zjarri dje u përhap për shkak të erërave të forta dhe, me shumë gjasë, disa instalimeve elektrike. Brenda vetëm disa orësh arriti deri te zonat e banuara, të cilat u evakuuan si nëpërmjet tokës, ashtu edhe nëpërmjet detit. Rreth 480 persona u evakuuan nga plazhi në Siviri”. – tha Oliver Dimitrov.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se edhe familje të tjera nga vendi kanë kërkuar evakuim nga zonat e prekura nga zjarri në Greqi.
“Deri në këtë moment, gjithsej pesë familje nga Maqedonia e Veriut kanë kërkuar ndihmë ose asistencë për evakuim nga zonat e prekura nga zjarret në Greqi. Në koordinim me autoritetet kompetente greke, ato janë drejtuar drejt pikave më të afërta të përcaktuara për këtë qëllim, ku janë akomoduar bashkë me turistët e tjerë”, - njofton Ministria e Punëve të Jashtme.
Nga MPJ u bëjnë thirrje shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët ndodhen në zonat e prekura të ndjekin me kujdes situatën dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve greke. (Abibe Qaili, TVM2)
