Zjarr në Kroaci, evakuohen banorët dhe turistët
Banorë dhe turistë janë evakuuar gjatë natës...

Banorë dhe turistë janë evakuuar gjatë natës, edhe nga bregdeti i Kroacisë, ku një zjarr i fuqishëm ka lënë pas dhjetëra automjete të shkrumbuara, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe banesa e biznese.
Pamjet e publikuara nga mediat kroate tregojnë automjete të shkrumbuara në anë të rrugës dhe gjurmët e zjarrit që përfshiu zonën.
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së enjtes në zonën e Lokva Rogoznicës dhe gjatë natës u përhap me shpejtësi në drejtim të Omishit.
Flakët kërcënuan disa zona të banuara, duke detyruar banorë dhe turistë të largoheshin.
Forca të shumta zjarrfikëse nga Dalmacia dhe pjesë të tjera të Kroacisë u angazhuan në operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit. Situata u vështirësua nga erërat e forta, të cilat ndryshonin drejtimin e flakëve. Në një moment, fronti i zjarrit iu afrua vendbanimeve mbi qendrën e Omishit.
Komandanti i zjarrfikësve kroat, Slavko Tucakoviç, konfirmoi se flakët kanë përfshirë edhe ndërtesa banimi, ndërsa bilanci i plotë i dëmeve pritet të përcaktohet pas inspektimit të zonave të djegura.
Gjatë natës janë publikuar gjithashtu pamje të shtëpive, restoranteve dhe automjeteve të shkrumbuara. Segmenti Ruskamen–Omish i Autostradës Adriatike është mbyllur për qarkullimin.
Për shkak të zjarrit janë mbyllur edhe rrugë të tjera në zonën e Omishit, ndërsa largimi i njerëzve nga zonat e rrezikuara shkaktoi trafik të rënduar.
