Maqedoni
QMK: 11 zjarre, gjashtë aktive
15.08.2026 14:25
Situata me zjarret në vend mbetet alarmante...

Deri në orën 13:00, në vend janë regjistruar gjithsej 11 zjarre në hapësirë të hapur. Gjashtë prej tyre janë aktive, tre janë vënë nën kontroll, ndërsa një është shuar plotësisht.
Zjarret aktive janë në disa zona të vendit, ndërsa më problematike paraqiten ato në Studeniçan, Makedonski Brod, Jegunovcë, Veles, Butel dhe Mavrovë-Rostushë.
“Në Studeniçan, zjarri ka përfshirë pyje të përziera në ataret e fshatrave Morane, Vrtekicë dhe Gaberi rrafshtë. Në Makedonski Brod digjet bimësi e ulët, pyje të ulëta dhe shkurre, ndërsa zjarr aktiv ka edhe në Jegunovcë, në mes të fshatrave Kopancë dhe Tudencë, ku zjarri po përhapet në drejtim të fshatit Bojanë, në anën e Shkupit.”, bëjnë të ditur nga Qendra për menaxhim me Kriza.
MPB: Dy persona nën pranga për zjarrvënje
Ndërkohë , MPB njofton për dy persona të privuar nga liria, të cilët janë kapur duke shkaktuar zjarre në hapësirë të hapur.
“Më 14 gusht, në orën 21:15, në rrugën “Jorgo Kostovski”, në vendin e quajtur Tepsija në Manastir, policia e privoi nga liria E.K. nga Manastiri, pasi u kap duke shkaktuar zjarr në hapësirë të hapur.Një ditë më parë, më 13 gusht, në orën 23:10, policia në Prilep, në vendin e quajtur Padarica, e privoi nga liria I.C. nga Prilepi, pasi edhe ai u kap duke shkaktuar zjarr në hapësirë të hapur. Në posedim të tij u gjet edhe një çakmak”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj dy personave do të ngrihen kallëzime përkatëse. Ndërkohë, CUK vazhdon të monitorojë situatën dhe të koordinojë institucionet dhe shërbimet në terren, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
SANIJE DURAKU
