Maqedoni
Strugë, simpozium me fokus 25 vjet nga Marrëveshja e Ohrit
15.08.2026 15:55
Marrëveshja e Ohrit, zbatimi i saj dhe sfidat që mbeten për shqiptarët..

Marrëveshja e Ohrit, zbatimi i saj dhe sfidat që mbeten për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ishin në fokus të simpoziumit që mblodhi studiues, publicistë dhe përfaqësues nga trojet shqiptare. Sipas politologut dhe ish kryetar i parlamentit të Shqipërisë Naimik Dokle, e ardhmja tashmë është drejt një Evrope të madhe dhe të bashkuar.
“Marrëveshja e Ohrit ka hapur rrugën për t’i luftuar këto dallime dhe për t’i bashkuar njerëzit si evropianë. Në një kohë kur, siç mendoj unë dhe shumë analistë politikë, koha e Serbisë së Madhe, Bullgarisë së Madhe, Greqisë së Madhe apo Shqipërisë së Madhe ka përfunduar, sot është koha e Evropës së Madhe, e Evropës së Bashkuar, drejt së cilës aspirojnë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, deklaroi ish-kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Namik Dokle.
“Synimi i shqiptarëve është të jenë të barabartë me popullin maqedonas, një aspiratë krejt demokratike dhe e natyrshme. Klasës politike shqiptare do t’i drejtohemi me një deklaratë për unitet, i cili është shumë i nevojshëm në këto rrethana. Kompromisi arrihet përmes dialogut, barazisë dhe drejtësisë, kur ato mungojnë, cenohen themelet mbi të cilat u ngrit Marrëveshja e Ohrit”, u shpreh gazetari Bekim Adili.
Ndërsa kryetari i Levizjes bëri thirrje për unitet mes partive politike shqiptare ne Maqedonin e Veriut.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është realizuar në plotni dhe mbetet ende shumë për t’u bërë. Pozita e shqiptarëve nuk është aty ku i takon të jetë, prandaj partitë politike shqiptare duhet të jenë unike rreth perspektivës së popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, theksoi kryetari i shoqatës “Lëvizja”, Xhevat Bislimi.
Pjesëmarrësit vlerësuan se, edhe pas 25 vitesh, mbetet ende punë për realizimin e plotë të synimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Mesazhi i përbashkët ishte për më shumë barazi, bashkëpunim dhe orientim drejt integrimit evropian. Në këtë simpozium, rëndësi e veçantë iu kushtua avancimit dhe fuqizimit të gruas shqiptare në shoqëri.
FITORE ISTREFI
