Moti i keq në Britaninë e Madhe: Përmbytjet shkaktojnë probleme në aeroportin Heathrow
Aeroporti Heathrow në Londër ka paralajmëruar për pengesa në qarkullim...

Aeroporti Heathrow në Londër ka paralajmëruar për pengesa në qarkullim pas përmbytjeve që kanë prekur zonën qendrore të aeroportit.
Aksesi në Terminalet 2 dhe 3 është kufizuar, pasi uji ka përfshirë zonën qendrore të aeroportit. Për pasagjerët që udhëtojnë drejt ose larg këtyre terminaleve, lëvizja me automjete në rrugë aktualisht nuk është e mundur.
Autoritetet e aeroportit u kanë bërë thirrje pasagjerëve që të përdorin trenat dhe metronë, duke shmangur udhëtimin me automjete.
“Ekipet tona po punojnë për ta zgjidhur situatën sa më shpejt të jetë e mundur. Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të shkaktuar”, deklaroi aeroporti në orët e para të së shtunës.
Problemet vijnë në një prej periudhave më të ngarkuara të vitit për Heathrow, pasi në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur pushimet verore të shkollave.
Sipas aeroportit, 19 korriku ishte dita më e ngarkuar e vitit deri tani, me rreth 267 mijë pasagjerë që kaluan nëpër Heathrow, ndërsa shumë shkolla nisën pushimet verore.
Heathrow është përballur edhe më herët me probleme në transportin hekurudhor. Shërbimet e trenave u ndërprenë pas një rrjedhjeje uji, e cila detyroi mbylljen e një tuneli.
Autoritetet vijojnë punën për normalizimin e situatës dhe rikthimin e aksesit të plotë në zonat e prekura.
