Maqedoni
Mickoski: Inflacioni është përgjysmuar krahasuar me 2022
16.08.2026 14:48
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se inflacioni në Maqedoninë e Veriut...

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se inflacioni në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit korrik ishte 2,3 për qind, ndërsa rritja e çmimeve me pakicë arriti në 1,8 për qind.
Duke e krahasuar me vitin 2022, Mickoski theksoi se atëherë inflacioni në vend kishte kaluar 14 për qind, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian ishte rreth dy herë më e ulët. Sipas tij, aktualisht inflacioni në vend është nën mesataren e BE-së, e cila, siç tha ai, ishte 2,93 për qind.
“Në korrik në Maqedoni, inflacioni, praktikisht çmimet në nivel vjetor janë rritur për 2,3%, ndërsa çmimet me pakicë në markete u rritën me 1,8%. Mesatarja në BE është 2,93%. Pse e përmend këtë? Sepse BE është partneri ynë më i madh tregtar. Dhe ju kujtohet në atë qeveri, në vitin 2022, kur kishim qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së. Në atë kohë, kur kishim inflacion dyshifror që herë pas here arrinte deri në 20%, ata na bindnin se ishte i importuar. Në atë kohë, mesatarja në BE ishte dy herë më e ulët se inflacioni në vendin tonë. Tani, te ne është gjysma e mesatares evropiane. Me fjalë të tjera, ajo që po të them është se, nëse analizoni 12 vende në rajon – të fillojmë me Slloveninë, përmes BeH-së, Kroacisë, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë, Turqisë dhe Maqedonisë ,në korrik 2022, vetëm tri vende ishin pas nesh. Ato ishin Turqia, Rumania dhe Bullgaria. Tani jemi të dytët. Të gjithë të tjerët janë pas nesh. Nëse atëherë ishim të nëntët, tani jemi të dytët. Kjo është diferenca midis kësaj qeverie dhe asaj. Në atë kohë, në korrik, inflacioni ishte mbi 14%, mendoj 14,7%, tani është 2,3%”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
