Maqedoni

Kumanovë: ShFK "Bajram Shabani" gati për vitin e ri shkollor

16.08.2026 15:42

Shkolla Fillore Komunale “Bajram Shabani” në Kumanovë...

Shkolla Fillore Komunale “Bajram Shabani” në Kumanovë është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027. Gjatë pushimeve verore, në objektin e shkollës janë realizuar një sërë investimesh dhe ndërhyrjesh, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor.
 
Ndër investimet e fundit është vendosja e roletneve për mbrojtje nga rrezet e diellit, të cilat pritet të krijojnë kushte më të përshtatshme gjatë zhvillimit të mësimit, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta, investim ky, donacion nga Fondacioni “Sami Ambrella” në bashkëpunim me Kompaninë “Ambrella”. 
 
Një tjetër risi është pajisja e klasave me 20 tabela të mençura, të cilat do të përdoren si mjete bashkëkohore në procesin mësimor, edhe kjo një tjetër donacion nga Shoqata “Swiss Barakah”. Me këtë investim synohet që mësimi të bëhet më interaktiv dhe të shfrytëzohen më shumë mundësitë që ofron teknologjia në arsim.
 
"Bëhet fjalë për ndërhyrje që lidhen me përmirësimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të shkollës, rregullimin e ambienteve të brendshme, si dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe punonjësit. Janë vendosur roletnet e shkolles, gelqerosja e shkolles apo lyerja e klasave, nderrimi i ndriçimit dhe vendosja e LED ndricuesve ne klasa dhe korridore, nderrimi i disa dyerve te klasave, vendosja e llaminatit ne disa klasa, nje sasi e konsiderueshme e bankave dhe karrikeve te reja, vendosja e smart tabelave ne te gjitha klasat dhe nje ser punimesh tjera brendashkollore. Ja vlen te theksohet edhe projketi per vendosjen e paneleve elektrive solare qe eshte ne realizim e siper ne te ardhem!", deklaroi Fatmir Ebibi, drejtori i ShFK "Bajram Shabani” - Kumanovë.
 
Nga shkolla bëjnë të ditur se punimet dhe përgatitjet po vazhdojnë me intensitet, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për pritjen e nxënësve në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
 
Investimet në infrastrukturë dhe pajisje të reja teknologjike paraqesin një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti më modern dhe më funksional për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në Shkollën Fillore Komunale “Bajram Shabani” në Kumanovë.
 
FATLUM AQIFI