Maqedoni
Ethet e Nilit, pa raste të reja, vazhdon dezinsektimi
16.08.2026 16:36
Asnjë rast i ri me ethet e Nilit nuk është regjistruar...

Asnjë rast i ri me ethet e Nilit nuk është regjistruar gjatë ditës së sotme. Megjithatë, institucionet shëndetësore mbeten në gjendje gatishmërie, ndërsa vazhdojnë masat për parandalimin e përhapjes së virusit.
Nga Qendra për Shëndet Publik për TVM bëjnë të ditur se po vazhdon dezinsektimi i rregullt, por edhe ai i jashtëzakonshëm në komunat ku janë evidentuar raste të sëmundjes.
"Sot, nuk ka asnjë rast të raportuar të etheve të Nilit. Dezinsektimi vazhdon, dezinsektimi i rregullt dhe emergjent po kryhet në komunën ku ka raste të raportuara", thuhet nga Qendra për Shëndet Publik.
Masat e dezinsektimit po zhvillohen në Komunat ku është konfirmuar prania e virusit, ndërsa autoritetet apelojnë që edhe qytetarët të tregojnë kujdes shtesë.
“Ne kemi kryer spërkatje mekanike në të gjitha zonat e banuara në territorin e komunës së Gazi Babës, me qëllim parandalimin, kontrollin ose përhapjen e këtij infeksioni tek qytetarët. Unë besoj vërtet se po reagojmë në mënyrë alarmante ndaj gjithë kësaj situate, jam në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ajo që është mirë për ne është se deri më tani nuk kemi pasur asnjë banor që ka pasoja të rënda shëndetësore nga pickimi i mushkonjës”, deklaroi kryetar i komunës së Gazibabës Boban Stevkovski.
Sipas të dhënave të fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 34 raste me ethet e Nilit, ndërsa dy persona kanë humbur jetën. Shumica e rasteve janë evidentuar në rajonin e Shkupit, ku epidemi është shpallur në disa komuna dhe vendbanime.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe institucionet vendore rekomandojnë përdorimin e repelentëve, shmangien e qëndrimit pranë ujërave të ndenjura dhe mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave, sidomos në orët e mbrëmjes. Kujdes i veçantë rekomandohet për personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, pasi te këto kategori ekziston rrezik më i lartë për komplikime.
Megjithëse sot nuk ka raste të reja, institucionet thonë se monitorimi dhe masat parandaluese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për shkak të sezonit të mushkonjave dhe situatës epidemiologjike në rajon.
SANIJE DURAKU
