Mjekët: Kujdes si i përdorni kondicionerët, ajri i kondicionuar mund të jetë i dëmshëm

16.08.2026 16:33

Temperaturat e larta të verës kanë rritur përdorimin...

Temperaturat e larta të verës kanë rritur përdorimin e pajisjeve të ajrit të kondicionuar, si në shtëpi ashtu edhe në ambiente pune. Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se përdorimi i papërshtatshëm i tyre mund të ndikojë negativisht te personat që vuajnë nga sëmundje kronike të frymëmarrjes.
 
“Ajri i kondicionuar, normalisht, përveç efekteve pozitive që i ka te shëndeti, mund të ndikojë negativisht, sidomos tek sëmundjet obstruktive të mushkërive dhe te asma, për shkak të thatësisë së mukozave që i jep ajri i kondicionuar, edhe me forcën e madhe që përdoren urimat gjatë ftohjes. Gjithashtu, mosha të brishta janë edhe fëmijët nën moshën një vjeçe, por edhe fëmijët deri në moshën tre vjeçe, për shkak të papjekurisë, në qoftë se mund ta quajmë ashtu, të imunitetit në zhvillim e sipër, që është. Këto, do të thotë, janë disa grupmosha që duhet të kenë shumë kujdes nga teprimi i përdorimit të ajrit të kondicionuar, sidomos temperaturave të ulëta dhe diferencave të mëdha me ambientin e jashtëm”, deklaroi mjeku Abdulhamit Kasami.
 
Sipas specialistëve, pacientët me rinit alergjik mund të kenë përkeqësim të simptomave për shkak të tharjes së mukozës së hundës, ndërsa filtrat e papastruar mund të përhapin pluhur, polen, myk dhe alergjenë të tjerë. Më të ekspozuar mbeten edhe fëmijët, sidomos ata që vuajnë nga astma, alergjitë ose infeksionet e shpeshta respiratore.
 
“Në përgjithësi, filtrat kanë efekt pozitiv kur përdoren si duhet edhe sipas rekomandimeve të prodhuesve, edhe kur pastrohen në mënyrë periodike, ashtu si duhet. Në momentin kur ata tejkalojnë këto rekomandime, atëherë bëhen të dëmshëm për shkak të grumbullimit të viruseve, të baktereve, të zhvillimit të mikrobeve, edhe pastaj këto lëshojnë një sasi pak më të madhe sesa ajri i ambientit, edhe pastaj këta bëhen të dëmshëm në kuptimin e asaj se thatësia e ajrit prej ajrit të kondicionuar e than mukozën, edhe mukoza e thatë bëhet më e ndjeshme dhe imuniteti lokal i këtyre mukozave dështon. Pastaj, këto baktere që në kushte normale nuk janë të dëmshme, bëhen të dëmshme”, u shpreh Kasami.
 
Mjekët këshillojnë që temperatura e kondicionerit të mbahet në 24 deri në 26 gradë Celsius, ajri të mos drejtohet drejtpërdrejt mbi trup ose fytyrë, ndërsa filtrat të pastrohen dhe dezinfektohen rregullisht.
 
Ata rekomandojnë gjithashtu hidratim të mjaftueshëm dhe ruajtjen e lagështisë së ambientit. Nëse simptomat respiratore përkeqësohen, qytetarët duhet të konsultohen me mjekun specialist. Sipas ekspertëve, ajri i kondicionuar nuk është problem, por përdorimi i tij i papërshtatshëm dhe mungesa e mirëmbajtjes së pajisjeve mund të kthehet në problem për njerëz të caktuar.
 
ABIBE QAILI