Zjarret vazhdojn, Zelenikova dyshon për zjarrvënje të qëllimshme

16.08.2026 16:33

Situata me zjarret në vend mbetet serioze...

Vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 29 zjarre në hapësira të hapura. 22 prej tyre janë shuar, një është vënë nën kontroll, ndërsa gjashtë zjarre vazhdojnë të jenë aktive. Një nga situatat më dramatike gjatë natës ishte në komunën e Zelenikovës, ku zjarri është afruar deri te shtëpitë në pjesën e banuar.
 
Flakët janë ndalur para se të përfshinin objektet e banimit, ndërsa në terren kanë intervenuar zjarrfikës, banorë, vullnetarë dhe ekipet lokale. 
 
“Diku rreth 50 metra afër shtëpisë arritën ta shuanin zjarrin , Zjarrëfikësit nga Shoqata e zjarrëfikësve të Zelenikovës. Siç mund të shihet zjarri është në dy lokacione dhe kjo len dyshim se i njejti nuk është rastësi por është I qëllimshëm”, thuhet në anketën. 
 
Kryetari i komunës ka qenë personalisht në terren dhe ka marrë pjesë edhe në shuarjen e zjarrit. 
 
“Rreth orës 2 pas mesnate shpërtheu zjarri. Menjëherë pas thirrjes së parë ndërhymë në kohë me automjetin e Komunës së Zelenikovës. Mbërritëm në vendngjarje dhe, më pas, kërkuam edhe ndihmën e Shoqatës Vullnetare Kundër Zjarreve në Zelenikovë. Me forcat e përbashkëta dhe me ndihmën e tyre, arritëm ta parandalojmë përhapjen e zjarrit drejt shtëpive më të afërta”, deklaroi kryetari i komunës së Zelenikovës, Kosta Manevski.
 
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, shprehu dyshime se zjarri është shkaktuar qëllimisht, pasi shpërtheu rreth orës 2 të mëngjesit, në një zonë të paarritshme dhe shumë afër shtëpive.
 
“Këtë zjarr e vlerësoj si jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të shkaktuar qëllimisht, pasi është vënë në afërsi të drejtpërdrejtë të shtëpive të fundit.E përjashtoj mundësinë që zjarri të ketë rënë aksidentalisht, sepse në orën 2 pas mesnate, një njeri normal nuk ka çfarë të kërkojë në atë vend dhe nuk lëviz aty. Ka bar të lartë, ferra dhe shkurre, prandaj jam më shumë se i bindur se ky zjarr është shkaktuar qëllimisht”, u shpreh drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
 
Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal, veçanërisht në zonat me bimësi të thatë, pasi zjarret mund të përhapen shumë shpejt dhe të rrezikojnë edhe vendbanimet. Shërbimet kompetente vazhdojnë të monitorojnë gjendjen e zjarreve aktive, veçanërisht në vendet ku zjarri lëviz nëpër zona pyjore dhe ekziston rreziku i përhapjes së tij të mëtejshme.
 
SANIJE DURAKU