Klinika infektive në Shkup, ka ndërruar jetë pacienti i tretë me “Ethet e Nilit”
Gjatë fundjavës ka ndërruar jetë edhe një pacient...

Gjatë fundjavës ka ndërruar jetë edhe një pacient nga ethet e “Nilit Perëndimor”, duke e çuar në 3 numrin e të vdekurve nga ky virus. Siç bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore, bëhet fjalë për një pacient 61-vjeçar, i cili kishte edhe sëmundje të rënda shoqëruese dhe ishte nga një prej zonave të prekura.
“Bëhet fjalë për pacient 61 vjeçarë, me formë të konfirmuar neuro invasive të infektimit me këtë virus dhe me gjendje të rëndë klinike. Bëhet fjalë për pacient me sëmundje tjera shoqëruese.” – tha Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
Deri më tani në mënyrë laboratorike janë konfirmuar 35 raste me virusin e “Nilit Perëndimorë”, ndërsa edhe tre raste të tjera të dyshuara janë në proces diagnostikimi.
Cana, 16 pacientë po trajtohen në klinikën infektive
Aktualisht, në Klinikën Infektive po trajtohen 16 pacientë, nga të cilët gjashtë janë në gjendje kritike.
Drejtori Fadil Cana tha gjithashtu se mosha e pacientëve të prekur po ndryshon.
“Këta gjashtë pacientë që janë në gjendje kritike dhe trajtohen në Repartin e Kujdesit Intensiv janë mbi 60 vjeç. Megjithatë, te pacientët e infektuar me formën neuroinvazive, pacienti më i ri i shtruar në spital është 25 vjeç, por është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe ndodhet në Repartin e Neuroinfeksioneve”. – deklaroi Drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
Cana sqaroi se pacientët me formën neuroinvazive, e cila zhvillohet te rreth 1% e të infektuarve, kanë temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, ngurtësi të qafës, çorientim, konfuzion dhe simtome të tjera.
Klekovski, kemi përforcuar kapacitetet shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se për situatën aktuale janë informuar të gjitha repartet infektive, mjekët amë dhe të gjithë ata që mund të bien në kontakt me pacientë të mundshëm të infektuar.
“Periudha e inkubacionit të virusit është 3 deri në 14 ditë. Të gjithë pacientët kanë anketa epidemiologjike dhe analizohet nëse brenda 3 deri në 4 ditë kanë udhëtuar jashtë vendit, e dini njëri kishte udhëtuar në Greqi, apo nëse kanë udhëtuar jashtë vendbanimit brenda vendit. Prandaj, të gjitha masat përqendrohen aty ku mendohet se ka ndodhur infektimi. Një nga masat është mbrojtja personale. Ne disa herë kemi apeluar te qytetarët edhe lidhur me mbrojtjen nga pickimi i mushkonjave dhe për largimin e ujit në oborre apo në afërsi të vendbanimeve. Komunat në të cilat është shpallur epidemi do të njoftohen me SMS me rekomandimet për veprim të cilat janë përpiluar nga institute i shëndetit publik”. – u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer një kontroll të jashtëzakonshëm të zbatimit të planeve për spërkatje në të gjitha komunat e rajonit të Shkupit dhe rezultatet do të bëhen të ditura së shpejti.
Tani fokusi do të vendoset te spërkatja e targetuar nga toka, tha minsitri Klekovski, i cili bëri apel për kujdes maksimal pasi sipas pritshmërive epidemiologjike, gushti dhe shtatori historikisht janë periudha kulmore për epidemi të tilla.
Përveç mushkonjave, shpezët e egër janë gjithashtu bartës të mundshëm të virusit. Ministri Klekovski poashtu bëri thirrje te qytetarët që, nëse hasin në zogj të ngordhur, ta njoftojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Minsitri Klekovski paralajmëroi edhe kontrollin e shpendëve shtëpiakë në zonat e rrezikuara, e sidomos të atyre që mbahen në ambient të hapur pranë kanaleve të ujitjes. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
